Presidenti serb Aleksandër Vuçiç iu drejtua popullit pas seancës së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duke njoftuar vendimet e tij në lidhje me konfliktin ruso-ukrainas, ndër të cilat më të rëndësishmet janë se Serbia respekton integritetin territorial të Ukrainës, por nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
“Këto janë ditë të vështira për të gjithë qytetarët e Evropës dhe botës dhe veçanërisht të vështira për ne në Serbi. Kemi pasur shumë kontradikta dhe probleme që nuk mund t’i paraqesë publikisht. Jemi përballur me probleme të shumta, por pavarësisht kësaj ne e morëm vendimin tonë që gjykoj se është i matur, gjakftohtë, pasi ne u zgjodhëm për të marrë një vendim të tillë”, tha ai.
Presidenti serb deklaroi se kishte kaq shumë gënjeshtra dhe dezinformata në mediat në Serbi dhe në rajon, lidhur me qëndrimin e Serbisë për pushtimin rus të Ukrainës.
Më pas Presidenti lexoi konkluzionin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duke renditur pikat e mëposhtme:
Serbia ndjen sinqerisht keqardhje për ngjarjet në Evropën Lindore. Rusët dhe ukrainasit janë popujt tanë vëllazërorë.
Serbia është e përkushtuar ndaj integritetit territorial dhe pavarësisë politike të shteteve.
Serbia është e përkushtuar për të ruajtur integritetin e saj territorial, si dhe integritetin e vendeve të tjera.
Për shkak të konsistencës së saj me respektimin e së drejtës ndërkombëtare, Serbisë nuk mund t’i bëhet asnjë kundërshtim.
Serbia ofron mbështetje të plotë për integritetin territorial të Ukrainës.
Serbia e konsideron të gabuar shkeljen e integritetit territorial të çdo vendi, përfshirë Ukrainën.
Serbia është e përkushtuar për ruajtjen e paqes në rajon, e cila është me rëndësi kyçe për zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Ruajtja e paqes është një interes jetik i popullit serb.
Kur shqyrtohet nevoja për të vendosur sanksione, përfshirë edhe Rusinë, Serbia do të udhëhiqet vetëm nga interesat e saj. Serbia i ka ndjerë sanksionet dhe beson se nuk është në interesin e saj të vendosë sanksione ndaj ndonjë vendi.
Nisur nga parimi i neutralitetit tonë ushtarak, është e nevojshme që të ndërpriten menjëherë të gjitha aktivitetet e ushtrisë dhe Ministrisë së Brendshme me partnerë të huaj.
Serbia do të marrë të gjitha masat për të ruajtur qytetarët e saj në Ukrainë.
Qytetarët tanë të përmbahen nga ndërhyrja në konfliktet në Evropën Lindore.
Serbia do të ofrojë ndihmë humanitare për popullin e Ukrainës.
Autoritetet kompetente marrin të gjitha masat për sigurimin e energjisë, gazit, naftës, ushqimit dhe produkteve të nevojshme ushqimore.
Serbia do t’i informojë konsujt e saj për këto përfundime.