Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka konvokuar për sot në orën 12 mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë për shkak të vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Vuçiq do t’u drejtohet mediave në orën 13.

Lideri i Iniciativës qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi” (SDP) vdiq mëngjesin e sotëm pasi që u qëllua me katër plumba nga një makinë në lëvizje, derisa hynte në zyrën e tij në Mitrovicë të Veriut.

Delegacioni serb për shkak të kësaj vrasjeje i ndërpreu bisedimet në Bruksel dhe po kthehet në Beograd.

Lajmin e konfirmoi Drejtori i Zyrës serbe për Kosovën Marko Gjuriq, i cili pritet që të japë deklaratë para gazetarëve në Bruksel para nisjes për Beograd.