Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, beson se marrëveshja e demarkacionit nuk do të kalojë në Kuvend pasi, sipas tij, do të ketë më shumë deputetë kundër sesa pro, përveç disa prej tyre të cilët, sipas tij, janë lojalë ndaj presidentit Hashim Thaçi.

“Qeveria nuk i ka 2/3 dhe përbëhet prej një numri minimal për të ratifikuar një marrëveshje. Pra, nuk i ka më shumë se 60 vota. Jam shumë i bindur se edhe shumë prej deputetëve të koalicionit qeverisës nuk do ta votojnë”, tha ai në një intervistë për emisionin “Express” të KTV-së.

Selimi tha se nuk beson se do të vije puna që t’i përdorin mjetet që i përdorën dy vjet më parë, siç janë gazi lotsjellës në Kuvend.

“Atëherë kemi thënë se kjo marrëveshje nuk kalon, dhe prapë themi se kjo marrëveshje nuk do të kalojë”, theksoi deputeti i VV-së, Rexhep Selimi.

Ndërkaq, duke e komentuar deklaratën e kreut të PDK-së, Kadri Veseli, se partia e tij do ta votojë marrëveshjen e demarkacionit, tha se edhe Veseli edhe Thaçi janë pro kësaj marrëveshjeje, “por janë kundër interesit të popullit”.

Edhe deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, komentoi deklaratën e Veselit, duke thënë se “PDK ende pa e parë mirë raportin e Komisionit po bëjnë thirrje që të votohet marrëveshja aktuale që i falë mbi 8200 ha, Malit të Zi”.

“Këta nuk e kanë hallin tek raporti, vizat apo tek territori! Halli i tyre i vërtetë është nënshkrimi që Hashim Thaçi ka vënë mbi një marrëveshje me anë të së cilës falet territori ynë! Kodi penal e specifikon më së miri që falja e territorit është tradhti ndaj vendit”, tha ajo.

Kujtojmë se sot Qeveria e Kosovës e procedoi për votim në Kuvendin e Kosovës marrëveshjen aktuale të demarkacionit me Malin e Zi.