“Nuk hezitoj ta përshkruaj ngjarjen si një masakër, si një krim kundër njerëzimit”. Këto ishin fjalët ish-udhëheqësit të misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, kur pa se çfarë kishte ndodhur në fshatin Recak, ku u masakruan 45 shqiptare.

Walker, ndikoi jashtëzakonisht shumë në përcaktimin e rrjedhave që do të merrte historia e Kosovës.

Diplomati amerikan para botës po tregonte për krimet e llahtarshme që po kryente regjimi i Slobodan Milloshevicit ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Ai edhe sot vazhdon të jetë i lidhur emocionalisht me Kosovën.

Por Walker, po shprehet i shqetësuar me vështirësitë politike që po kalon vendi, derisa ka kritikuar ashpër rolin e Bashkimit Evropian në raport me Kosovën.

“Problemi është se në tavolinë nuk po bisedojnë dy palë të barabarta, për shkak të ndikimit politik që ka Serbia. Po për mua shqetësuese është fakti se disa shtetet brenda Bashkimit Evropian akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe imagjinoni këtë proces po e ndërmjetësojnë dy persona që vijnë nga Slovakia dhe Spanja, të dyja këto nuk e njohin Kosovën si sovrane. Pra fatkeqësisht duhet thënë se Bashkimi Evropian po mban anë në këtë proces, dhe unë nuk po e kuptoj arsyen”, u shpreh Walker.

Walker, rrëfen për tëvë1 se ka folur personalisht me Kryeministrin Kurti dhe se e ka këshilluar atë që të qëndroj më shumë në Uashington.

Diplomati tutje thotë, se SHBA-ja është mikja më e madhe dhe më e afërt e Kosovës.

“Ka ardhur koha për një involvim më të madh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga vendi që i ndihmoi Kosovës të bëhet e pavarur dhe sovrane. Unë personalisht i kam thënë Kryeministrit Kurti që të shpenzoj më shumë kohë në Uashington. Kosova është në një situatë të vështirë, prandaj ata duhet të komunikojnë me miqtë e tyre më të mirë, pra me SHBA-të. Nuk po shoh prezencë të mjaftueshme fizike nga qeveritarët e Kosovës në Uashington dhe kjo po më shqetëson. Unë e kuptoj që Kurtit i duhet të udhëtoj për në Bruksel dhe në Evropë, por është jetike për të ardhmen e Kosovës komunikimi i afërt me aleatin kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.

Së fundmi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur të zhgënjyera dhe shqetësuara me Qeverinë e Kosovës për shkak se kjo e fundit nuk e shtyu për 10 muaj vendimin për riregjistrimin e makinave me targa serbe.