Xherdan Shaqiri hap shtëpinë në Angli: Ndeshjet me Shqipërinë nuk më intrigojnë më, ndaj nuk i doja në grup

Shaqiri shtyp një kod dhe hapet dera e shtëpisë. Për herë të parë ai ka ftuar gazetarët e të përditshmes zvicerane, Blick, në shtëpinë e tij në rrethinat e Mançesterit në Angli. Shqiptaro-­zvicerani luan për ekipin e Stoke.

Xherdan Shaqiri fiton 9.5 milionë franga bruto në vit, kontrata më e mirë që ka nënshkruar ndonjëherë një sportist zviceran, shkruan Blick.

Në intervistën e gjatë për numrin e fundjavës, Shaqiri flet edhe për shortin me Shqipërinë.

I pyetur se përse nuk e donte Shqipërinë në grup, ai thotë: “Po, sigurisht, por kryesisht për shkak se do kishte qenë më emocionuese nëse do luanim me një kundërshtar të ri”.

“Me Shqipërinë e dimë se çfarë na pret”.

I pyetur se për kë bën tifozllëk familja e tij, ai thotë: “Natyrisht janë me mua. Por do jetë një ndeshje speciale për të gjithë. Por unë distancohem pak nga kjo temë”.

I pyetur nëse do luante për Kosovën, nëse ajo pranohet nga FIFA, ai thotë: “Jo, nuk do merrem me këtë. Ndjehem shumë mirë në kombëtaren zvicerane”.

Duke komentuar deklaratën e trajnerit të kombëtares zvicerane, Vladimir Petkovic, se vetëm Lorik Cana do luante në kombëtaren zvicerane nga lojtarët shqiptarë, Shaqiri thotë: “Nuk e di, nuk është e rëndësishme”.

Shaqiri thotë se Shqipëria nuk ia ka kërkuar të luajë për kombëtaren.

“Kur isha me kombëtaren U­-18 të Zvicrës, ata nuk më njihnin. Kur isha 18 vjeç, isha pjesë e kombëtares zvicerane. Vetëm atëherë kjo u bë temë diskutimi në Shqipëri”.

Më pas Shaqiri ka komentuar edhe emigrimin nga Kosova drejt Zvicrës.

“Unë kam lindur në vitin 1991 në Kosovë. Babai im kishte kohë që punonte këtu në Zvicër në ndërtim. Në vitin 1992 arriti të na tërhiqte të gjithëve. Erdhëm në një shtëpi sharmante, e cila ngrohej akoma me dru. Mbaj mend se kur ishim fëmijë, nëse qëndronim shumë brenda, bëhej shumë nxehtë. Kohezioni i ngushtë i familjes sonë është i jashtëzakonshëm edhe sot. Kjo është arsyeja pse kam blerë dy banesa pranë njëra­tjetrës, për të qenë bashkë sa më shumë të jetë e mundur”.

xherdan-shaqiriiii