, në njërën nga sallat e mëdha të Qendrës së panaireve, në Lucern, është mbajtur seanca zgjedhore dhe solemne e Parlamentit të Kantonit të Lucernit. Masat kundër koronavirusit, kanë bërë që kjo sallë të improvizohej në parlament.

Në rendin e ditës të sesionit të sotëm ishte votimi i iniciativës së partisë së gjelbër për të drejtën e votës së të rinjve 16 dhe 17 vjeçarë në kanton, shkruan albinfo.ch. Ndonëse me 55 vota pro dhe 60 kundër, në bazë të një rregulloreje të këtij parlamenti, iniciativa kaloi një hap më tutje: ajo do të merret në përpunim nga komisioni përkatës, ai i politikave shtetërore. Dhe, siç e thonë njohësit e punës, i ka shanset e mira për t`u jetësuar.

Por, pika më e rëndësishme e rendit të ditës të sesionit të sotëm ishte zgjedhja e kryetares së parlamentit, Ylfete Fanajt. Fakti që po zgjidhej një grua me gjuhë amtare jo zvicerane dhe me vend të lindjes jashtë Zvicrës, e bënte këtë sesion më të veçantë dhe i jepte mbledhjes një peshë të caktuar historike. Dhe, jo vetëm për komunitetin shqiptar të Zvicrës.

Ylfete Fanaj ishte që nga qershori i vitit të kaluar, nënkryetare e parlamentit Kantonal ndërsa prej disa vitesh ka qenë në krye të Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate në kanton. Nisur edhe nga autoriteti që ajo ka ndërtuar me angazhimin e saj rreth 15 vjeçar në nivele të ndryshme politike, zgjedhja e saj përbënte një hap të natyrshëm.

Ajo sot u zgjodh me 91 vota pro, ndërsa do të mjaftonin edhe vetëm 59 sosh për të zënë vendin e “lucernases më të lartë”, siç e identifikojnë këtu postin e kryetarit/res të parlamentit.

Në momentin kur krerët e Parlamentit dhe të partisë së saj e uronin Ylfete Fanajn për zgjedhjen e saj kryetare e Parlamentit të Kantonit të Lucernit, këngëtarja zvicerane doli në skenë, duke kënduar këngën e njohur arbëreshe “Moj e bukura More”.

Në fytyrën e Ylfetes dhe familjarëve të saj vëreheshin emocione të papërshkrueshme, ndërsa deputetët dhe publiku filluan duartrokitjet nën ritmin e këngës së mirënjohur.

Një element tjetër shqiptar në këtë eveniment ishte edhe dorëzimi i një pikture të artistit shqiptaro-zviceran Samedin Asllani që iu bë Fanajt me rastin e zgjedhjes së saj në këtë post të lartë.