Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Visar Ymeri, ka reaguar për vizitën e kryeministrit serb në veri.
Ymeri ka shkruar në profilin e vet në “Facebook” se hyrja e Vuçiqit në Kosovë është cenim i sovranitetit të Republikës (kur ky fare nuk përfillë institucionet e vendit). “Ose edhe më keq, është përdhosje e dinjitetit shtetëror, (nëse ky është lejuar të vijë në Kosovë nga regjimi autoritar i Mustafës). Çfarë deklaron krimineli Vuçiq kur vjen këtu janë shpërfaqje e këtij cenimi e kësaj përdhosjeje. Duke thënë që ‘Ujmanin e ruajtëm’ e që ‘Trepçën nuk do të lejojmë të bëhet e Kosovës’ krimineli-kryeministër i Serbisë në të vërtetë ravijëzon qëllimin e shtetit të cilin udhëheq – pamundësimin e Republikës përmes ‘Zajednicës’ e pamundësimin e zhvillimit përmes uzurpimit të resurseve. Kjo është luftë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve. Tash jo duke na vrarë me ushtarë e paramilitarë, siç bënte Vuçiqi, Shesheli, Daçiqi e Millosheviqi gjatë viteve të ’90-ta, por duke na e pamundësuar të jetojmë, siç po duan ta bëjnë Vuçiqi e Daçiqi. Këto i di edhe regjimi. Por ata nuk veprojnë. Si të veprojnë Mustafa e Thaçi ndaj bashkëpunëtorëve të tyre të dialogut”, ka thënë Ymeri. 
Sipas tij, Mustafa e Thaçi tashmë e kanë pranuar cenimin, përdhosjen e gjunjëzimin e Republikës. “Këtë e kanë punë të përditshme. Këtej e shkatërrojnë duke e vjedhur e keqpërdorur shtetin, e andej ia hapin derën Vuçiqit që ta shndërrojë Kosovën në poligon politik e ekonomik të Serbisë. Për regjimin Mustafa-Thaçi, Vuçiqi e strukturat kriminale të tij në Kosovë nuk e rrezikojnë shtetin, por Boiken Abazi e Arbër Zaimi. Këtyre dyve Mustafa e Thaçi ua ndalojnë hyrjen në Kosovë e jo Vuçiqit”, ka deklaruar Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje!