Është përgatitur një verzion i ri për ligjin e PSP-së, në të cilin në segmente të caktuara pranohen një pjesë e sugjerimeve të VMRO-DPMNE-së, të cilat tashmë i janë dërguar përfaqësuesit të partisë më të madhe opozitare, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Ai, pret që drafti sot të shqyrtohet nga ana e opozitës, kurse nesër të vijojnë negociatat në kuadër të gupeve të punës.

“Me pranimin e këtyre sugjerimeve në bazë të amendamenteve të opozitës, kemi bërë një hap të madh” tha Zaev dhe shtoi se një gjë e tillë ishte kërkuar edhe nga Delegacioni Evropian dhe Komisioni i Venecias, kurse janë respektuar edhe linjat e kuqe për këtë çështje.

Ai shpreson se do të arrihet të gjendet gjuhë të përbashkët dhe të tejkalohen të gjitha dallimet rreth ligjit. “Nuk mund të themi se procesi po zvarritet. Afatet janë deri në fillim të muajit maj. Nesër do të fillojnë bisedimet e grupeve të punës dhe shpresoj se procesi do të përmbyllet me sukses dhe për këtë çështje shumë të rëndësishme shpresoj se do të gjejmë gjuhë të përbashkët”, deklaroi Zaev.