Nuk shoh nevojë për ndryshimin e Kushtetutës, deklaroi sot kryeministri Zoran Zaev, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse në procesin e zgjidhjes së çështjes për emrin është biseduar edhe për ndryshimet kushtetuese eventuale.

“Kërkesa për ndryshimin e Kushtetutës në bisedimet për emrin janë qëndrim grek, por ne kemi qëndrimin tonë. Maqedonia e ndryshoi Kushtetutën e saj në vitin 1993 që ta saktësojë nenin 49 duke e vendosur amendamentin 2. Ne bëmë hap të madh që ta largojmë irredentizmin. Për momentin gjithçka që bëjmë është që që dëshmojmë se Maqedonia nuk ka kurrfarë aspiratash, territoriale apo çfarëdo qoftë, se Maqedonia nuk ka motive irredentiste. Maqedonia dëshiron të ndërtojë miqësi, dhe nga ky aspekt, nuk shoh nevojë për këtë”, tha Zaev.

Ai përsëriti se zgjidhja për emrin duhet ta garantojë identitetin dhe dinjitetin e të dyja palëve dhe këtu nuk ka dilema.

Shfaqi bindje se këtë mund ta bëjnë institucionet e shtetit, subjektet politike – pushteti dhe opozita së bashku.

“Besoj se absolutisht e dimë çfarë është ajo që është e mundur, çfarë është ajo që është e lejuar dhe deri ku duhet të shkojmë. Do të bëjmë gjithçka që të gjejmë zgjidhje të këtij problemi 25-vjeçar, por jo edhe me çdo çmim”, porositi Zaev.

Sipas tij ekzistojnë struktura radikale edhe në të dy vendet, por se duhet të bëjmë gjithçka që të gjendet zgjidhje që në të ardhmen të ndërtojmë miqësi dypalëshe dhe rajonale me të gjithë.

Lidhur me atë siç ishte kumtuar nga ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Koxias, se përgatit draft-version të marrëveshjes ndërkombëtare, Zaev tha se Maqedonia është e gatshme të shfrytëzojë gjithçka që ekziston si mundësi për zgjidhje, sepse kontesti duhet të përfundojë me arritjen e marrëveshjes ndërkombëtare.

“Ideja e këtillë për mua është e mirëseardhur dhe mund të jetë e dobishme”, tha kryeministri Zaev në konferencë për shtyp në Qeveri.

Paralajmëroi se procesi i negociatave vazhdon javën e ardhshme me takim të ndërmjetësit Methju Nimic me shefat e diplomacive të të dy vendeve.