Bashkë me kryeministrin grek, Aleksis Cipras, ne mbetemi plotësisht të vendosur për perspektivën e një Ballkani të ri të shekullit XXI, ku miqësia do të rritet, bashkëpunimi do të zgjerohet dhe ne do të kontribuojmë në një përmirësim të rritjes ekonomike dhe të zhvillimit të vendeve tona, deklaroi kryeministri maqedonas, Zoran Zaev.

“Kjo do të rritë prosperitetin dhe lumturinë e qytetarëve grekë dhe maqedonas, çka do të çojë në zgjerimin e transaksioneve tregtare, investimeve të reja dhe të standardeve më të larta ekonomike”, theksoi Zaev.

Zaev tha se në një bisedë telefonike homologu i tij grek e kishte përditësuar për zhvillimet në Greqi dhe se e kishte siguruar se mbetej i vendosur ndaj marrëveshjeve të arritura duke i shpjeguar se kishte marrë përsipër edhe rolin e ministrit të Jashtëm për të siguruar zbatimin e Marrëveshjes së Prespës.

“Jam shumë i lumtur për vendosmërinë absolute të Greqisë për zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Zaev.

“Kjo mundësi nuk duhet humbur”, theksoi ai duke u bërë thirrje deputetëve për miratimin e marrëveshjes.