Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, pas takimit me kancelaren gjermane, Angela Merkel, tha se Maqedonia është e gatshme të ofrojë zgjidhje në të cilat do të përfshihet edhe opozita, presidenti, por edhe për të cilat do të kërkojnë miratimin e qytetarëve të vendit.

“Neve na mbetet detyra vendore: të vazhdojmë intensivisht me reforma, si dhe zgjidhjen e çështjes së hapur me Greqinë për emrin tonë kushtetues. Këto janë delikate, por ne jemi të vëmendshëm që të ofrojmë zgjidhje ku do të përfshihet edhe opozita edhe presidenti i shtetit, ndërsa do të kërkojmë miratim edhe nga qytetarët”, tha Zaev, në konferencën e përbashkët me Angela Merkel.

Gjatë konferencës Zaev gjithashtu tha se një Gjermani e fortë dhe stabile është në interes të Evropës dhe Ballkanit.
“Këtë vit shënuam 25 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Nuk ka vërtetim më të mirë për bashkëpunimin mes Maqedonisë dhe Gjermanisë se sa, vetë faktet. Gjermania është partneri tregtar numër 1, i vendit tonë”, tha Zaev.