Qeveria e Maqedonisë shprehet e gatshme për hetim ndërkombëtare të rastit Kumanova. Kryeministri Zoran Zaev theksoi se hetimi në të cilin do të përfshihen edhe ekspert ndërkombëtare do të zbardhte dilemat për këtë rast i cili sipas avokatëve të të dënuarve dhe jo vetëm, është skenar i shërbimeve sekrete.

Deri më tani kemi pasur informacione dhe bisedime me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në lidhje me modalitetet se si do të mundësohet hapja e hetimit ndërkombëtar. Nuk duam të kemi dilema për çështje të paqarta e të cilat janë në interes të qytetarëve. Besojmë se bashkë me bashkësinë ndërkombëtare do të gjejmë mundësinë për hapjen e një hetimi ndërkombëtarë për këtë rast- deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër i Maqedonisë.
Ndërkohë Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për familjet e të vrarëve dhe të dënuarve nga Kosova në rastin Kumanova. Për çdo familje do të ndahen nga 10 mijë euro, ndërsa paratë do të lëshohen në xhirollogari të Këshillit të familjeve të të dënuarve.

Propozoj që të ndahen mjete financiare me vlerë prej 290 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve për familjet e shtetasve të Kosovës, të vrarë dhe të dënuar në rastin Kumanova. Propozoj që për secilën familje të shtetasve kosovarë të vrarë dhe dënuar në Kumanovë të ndahen nga 10 mijë euro- deklaroi Ramush Haradinaj, Kryeministër i Kosovës.
Për rastin “Kumanova” u dënuan 37 persona prej të cilëve 8 u dënuan me burg të përjetshëm, 4 u liruan nga akuza ndërsa të tjerët u dënuan me 746 vjet heqje lirie. Në mesin e të dënuarve 19 persona janë nga Kosova.