Zoran Zaev drejtoi gishtin nga partia e Gruevskit për dështimin e bisedimeve të një dite më parë. Në intervistën për emisionin “360 gradë” në Alsat, Zaev sqaroi se dallimi kryesor i partive ka të bëjnë me çështjen e mediave pasi sipas tij Gruevski nuk dëshiron të humb kontrollin ndaj rregullatorëve mediatik. Sipas LSDM-së këto trupa duhet të udhëhiqen nga ekspertë të pavarur. Nga ana tjetër Zaev vlerëson se zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen nga fundi i tetorit ose fillimi i nëntorit.

“Ne duam definimin e të gjitha kushteve. Jo një nga një të shqyrtohen kushtet e më pas të bisedohet për datë të zgjedhjeve që më pas të diskutohet për qeverinë që do ti zbatojë zgjedhjet. Këtë e dëshiron VMRO-ja. Ja pakoja. Atë mund ta bëjmë menjëherë në takim të liderëve. Nëse atë e definojmë do të presim 20 ditë. Fillojmë nga 20 qershori deri me 10 korrik… KSHZ e kryen punën që ka, mediat definohen dhe zgjedhjet mund të mbahen më 6 nëntor ose 30 tetor”, tha Zoran Zaev, LSDM.

Sipas Zaev, opozita dëshiron të zgjidhjen e shpejtë të krizës, por këtë e pengojnë partitë në pushtet VMRO dhe BDI. Ai madje partinë shqiptare në pushtet e quajti ekzekutore të interesave të partisë së Gruevskit. Ndërsa PDSH-në e cilësoi të pa interesuar për rrjedhën e bisedimeve.
“Lideri i BDI-së Artan Grubi…Më falni, mendoj BDI në tërë procesin është pozicionuar në mënyrë të pa logjikshme ashtu që na jep të drejtë ta quajmë ekzekutor të VMRO-DPMNE-së. Ata nuk po luftojnë për pozitat dhe elektoratin që përfaqësojnë në kuvend. Shumë shpesh interesat e VMRO-së përcillen përmes BDI-së. Andaj themi se jemi vet”, tha Zaev.

Pavarësisht formatit të qeverisë që do ti organizojë zgjedhjet, Zaev shprehet i prerë se ai duhet të formohet 6 muaj para zgjedhjeve dhe jo 100 ditë siç pretendon pushteti. Sipas Zaev, opozita mbetet përkrah protestuesve mirëpo ka edhe plane të tjera për tejkalim të krizës megjithëse vlerëson që bisedimet dhe zgjedhjet janë rrugëdalja më e mirë nga ngërçi politik që ka kapluar vendin.