Pas depërtimit të ushtarëve turq për marrjen në kontroll të qytetit Al-Bab nga militantët e ISIS, rrezikohet një përplasje mes Turqisë dhe trupave të regjimit sirian të mbështetura nga Rusia, shkruan “Huffington Post”.

Kjo mund të ndodh së shpejti pasi trupat siriane po marshojnë drejt jugut të qytetit. Vëzhguesit duke u thirrur në informacionet e rebelëve të FSA, që bashkëpunojnë me Turqinë, shkruajnë se tashmë vetëm ka ardhur deri te konflikti mes tyre dhe trupave të regjimit. Për këtë qarkullon edhe një video në rrjetet sociale.
Të enjten janë vrarë tre ushtarë turq dhe njëmbëdhjetë janë plagosur rëndë, njëri në rrezik për jetën, nga një bombardim rus. Presidenti Vladimir Putin i ka kërkuar falje presidentit Rexhep Taip Erdogan, me arsyetimin se bëhet fjalë për një gabim. Megjithatë tensionimi i situatës mund të ndodh së shpejti, ngjashëm si me “gabimet e navigimit të aeroplanëve rusë mbi qiellin turk,” kur erdhi deri te rrëzimi i aeroplanit rus në nëntor 2015.

Rasti i vrasjes së tre ushtarëve turq po shqyrtohet nga një komision i përbashkët turko-rus.

Siç dihet Turqia është kundërshtare e regjimit të Bashar al-Assad dhe mbi të gjitha mbështet rebelët suni. Por së fundi Turqia ka përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë, mbështetësin kryesor të regjimit sirian.

Rusia mes Ankarasë dhe Assadit

Në ditët e kaluara theksohet se ka pasur bisedime mes regjimit sirian dhe qeverisë turke për ndarjen e Al-Bab dhe mos përfshirjes në luftime mes njëri-tjetrit.

Eksperti sirian Charles Lister shkruan në Twitter se në perëndim të Al-Bab ka filluar artileria turke të sulmojë pozicionet e regjimit sirian. Nëse kjo është e vërtetë do zbulohet ditët vijuese.