Udhëheqësia e Radio Televizionit të Maqedonisë (RTVM) dyshohet se ka kryer vepër penale duke angazhuar kompani joadekuate për të matur rejtingun dhe shikueshmërinë. Jozyrtarisht merret vesh se për këtë keqpërdorim të bërë, tashmë është hapur edhe proces nga policia. Rastin e ka konfirmuar sekretari i përgjithshëm i qeverisë, Dragi Rashkovski, madje duke thënë se kjo paraqet krim.

“Duke kontrolluar dokumentet që kanë arritur deri te Kolegjiumi gjeneral, zbuluam krim në Qendrën Tregtare të Qytetit (QTQ) krim në ndërmarrjen publike Radio Televizioni i Maqedonisë (RTVM) me një agjenci që është paguar të masë rejtingun dhe shikueshmërinë, por nuk poseduar fare të ashtuquajtur ‘pipelmetra’ për matje”, ka deklaruar Rashkovski. .

Ai ka folur edhe për “krimet” tjera që ka bërë qeveria e kaluar e udhëhequr nga VMRO dhe BDI.

“Poashtu konstatuam se në mënyrë fiktive kanë paguar mbi 2.600 orë punë jashtë orarit. Tani ajo punë është ulur në 300 deri 400 orë. Dallimi është rreth 2.200 orë ose kursim prej rreth 400 mijë denarëve në muaj.

Poashtu është angazhuar Agjenci marketingu e cila i ka realizuar shpalljet për punësim në Qeveri dhe për këtë ka fituar 10 mijë euro. Kjo është keqpërdorim klasik i detyrës dhe autorizimit zyrtar. Sipas ligjit, intervistimin e kandidatëve duhet ta bëjnë sekretari i përgjithshëm dhe komisioni i formuar prej tij, kurse ata këtë punë ia kanë besuar një agjencie private e cila ka vendosur se kush është i kualifikuar për ndonjë pozicion të caktuar në qeveri.

Kanë paguar 100 mijë euro një agjencie private për të trajnuar 1.600 të punësuar në NP “Pyjet e Maqedonisë”. Nuk ka kurrfarë procesverbali se kush është trajnuar, kush ka bë trajnimin, e as çfarë trajnimesh kanë kryer këta punëtorë. Ekziston vetëm vendimi për trajnim dhe pagesa ep arave nga buxhet shtetëror.

Qeveria në katër vitet e fundit ka paguar nga 14 mijë euro në vit edhe për furnizimin e kompanisë private SGS me Certifikatë për ambient jetësor. Parashtrohet pyetja se si kjo kompani ka kryer certifikimin e ambientit jetësor në ndërtesën e Qeverisë, kur podrumi ka qenë deponi. Edhe për këtë rast MPB ka hapur hetime”, ka theksuar Rashkovski.