Zeka i Besës i drejtohet Ali Ahmetit: Është gënjeshtër se i kemi shkruar Ramës

Nënkryetar i Lëvizjes Besa, Zeqirija Ibrahimi, i quan gënjeshtra fjalët e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili tha se Lëvizja Besa ka dërguar letër të hapur drejt kryeministrit shqiptar, Edi Rama, nga i cili ka kërkuar që të pranojë autorësinë e Deklaratës së Përbashkët. Ibrahimi më tutje shkruan se Lëvizja Besa ka ofruar përkrahje për çfarëdo marrëveshje që do të ishte në interes të shqiptarëve, por sipas tij, Ahmeti nuk e kishte hallin te interesi shqiptar, por se si ta shpëton karrierën politike.

“Ne e pranuam takimin për hatër të Kryeministrit. Ne e pranuam Deklaratën si dokument i përbashkët i joni (jo i Tiranës) për shkak të parimit “ti mbrojmë interesat shqiptare”. Por, ne ia thamë edhe Kryeministrit edhe në opinion e kemi thënë: me kryetarin e BDI-së nuk ulemi në Shkup, se ai për ne është kryefajtori i gjendjes së shqiptarëve të Maqedonisë.E që ta sabotojë implementimin e Deklaratës dhe ta mbajë në jetë Gruevskin, kryefajtori kërkoi nga kryetari i LSDM-së që të deklarohej për Deklaratën para se ta merrte mandatin. (Rikujtoj: ne i dhamë nënshkrimet pa kushtëzime për pjesëmarrje në qeveri – vetëm që kështu ta largojmë Gruevskin nga skena)”, tha Ibrahimi.

Në intervistën e djeshme për RTV21, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se thirrjet e Lëvizjes Besa drejt kryeministrit Rama, që ai ta pranojë autorësinë e Deklaratës së Përbashkët, i ka keqpërdorur edhe Ivanovi, edhe Gruevski.

“Mirëpo e keqja është se arsyet që i përdor Besa për të dalë me letër, që të pranojë autorësinë Zoti Edi Rama, këtu e ka shfrytëzuar edhe presidenti, edhe kryetari i VMRO DPMNE-së, Zoti Nikolla Gruevski, e kanë shfrytëzuar edhe analistë, duke thënë që ja një parti politike shqiptare po kërkon nga Edi Rama që të pranojë autorësinë”, tha Ahmeti.

Presidenti Ivanov, Deklaratën e Përbashkët e konsideron ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë nga ana e Shqipërisë, dhe konsideron se e cenon integritetit territorial të vendin. Deklarata e Përbashkët është arsyeja kryesore të cilën e shfrytëzon Ivanovi për mos të dhënë mandatin kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev.