Komisionit për Çështje Evropiane sot në debatin për ligjin e gjuhëve ka refuzuar amendamentin e Lëvizjes Besa, e cila ka kërkuar që ligji të marrë emrin ligji për përdorimin e gjuhës shqipe. Kjo ka shkaktuar tension mes deputetëve të partive shqiptare në pushtet dhe opozitës.
Deputeti i Lëvizjes Besa Fadil Zendeli i ka rënë me grushtë tavolinës në shenjë proteste pse kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Artan Grubi, nuk i ka dhënë fjalën për proceduriale, por i ka dhënë fjalën një deputeti tjetër.

“Ju jeni njësoj si VMRO”, akuzoi Zendeli kryetarin e komisionit, deputetin Grubi.
“E përdorni strategjinë e njejtë si VMRO që me debatet të pafundme të bllokoni ligjet. Sot deputetët e BDI-së për të pamundësuar debat real konstrukiv rreth ligjit për përdorimin e gjuhëve përdorni kundër replikat”, tha Zendeli.
Ai madje ka kërcënuar se Besa mund të bojkotojnë punën e Komisionit nëse Grubi keqpërdor pozicionin e kryetarit të Komisionit.
Grubi është kundërpërgjigjur duke thënë se Lëvizja Besa është kundër gjuhës shqipe duke shtuar se proceduralja nuk mund të kërkohet gjatë debatit.
“Procedurale mund të kërkohet gjatë ecjes së debatit, por fitohet proceduralja pas përfundimit të debatit e jo në mes të fjalës”, sqaroi Grubi.

Sot ishte dita e dytë e debatit të ligjit për përdorimin e gjuhëve në Komisionin për Çështje Evropiane. Vazhdimi i seancës u caktua për 25 dhjetor, pasi që siç tha Grubi, dëshirojnë që t’i japin edhe një mundësi VMRO-DPMNE-së, e cila vazhdon të bojkotojë, që të debatojë rreth amendamenteve të propozuara nga ky subjekt./Almakos/