Opozita kosovare ka ngritur çadra para objektit të Qeverisë në Prishtinë. Udhëheqësit e tri subjekteve politike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën, i kanë thirrur simpatizantët e tyre me dyshekë e batanije në sheshe, për të protestuar – siç thanë, – ditë e natë deri në rrëzimin e qeverisë.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se, për vendosjen e tendave përpara objektit të Qeverisë kanë marrë leje nga Komuna e Prishtinës, por nuk konfirmoi nëse kanë marrë leje edhe nga Policia e Kosovës.

“Nga sot fillon një etapë e re e kundërshtimit të vazhdueshëm, të përhershëm, këtu në shesh. Ky aktivitet i kundërshtimit opozitar, në sheshin e kundërshtimit, tanimë është bërë me të gjitha përgatitjet e duhura. Tenda nënkupton qëndrim të përhershëm”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

Protestuesve opozitarë, pasdite iu bashkua edhe deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili gjatë ditës u dërgua me forcë nga policia në gjykatë, ku bashkë me disa deputetë të tjerë të opozitës akuzohet për “pengim të zyrtarëve në kryerjen e detyrës”, “përdorim mjetesh piroteknike”, “dëmtim të pronës publike”, etj.

Ndërkohë që opozita rregullonte tendat, ku do të qëndrojnë edhe natën para Qeverisë, brenda objektit qeveritar është zhvilluar një takim i shefave të grupeve parlamentare të koalicionit qeveritar, për të konfirmuar votat e nevojshme për zgjedhjen e kreut të PDK-së, Hashim Thaçi, President të Kosovës.

Top Channel ka mësuar se, koalicioni qeveritar tanimë i ka konfirmuar votat e deputetëve dhe pret që, pas seancës së rregullt të së mërkurës, Kryesia e Kuvendit të thërrasë një seancë të re gjatë javës për votimin e Presidentit të ri.