Ka ngelur më pak se një muaj për fillimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale, ndërkaq partitë politike vazhdojnë të taktizojnë me kandidatët e mundshëm për kryetar komunash dhe listat për këshilla komunal.

Nuk mungojnë rastet kur kryetarë aktualë kanë konfirmuar rikandidimin, por edhe raste të tilla që kanë konfirmuar se nuk do të jenë pjesë e garës në këto zgjedhje. Të pakta janë rastet e kandidatëve që janë deklaruar të pavarur.

Analisti politik, njëkohësisht ish-kryetar i komunës së Tetovës, Aladin Demiri, thotë se kandidatët për kryetarë komunash nuk duhet të jenë thjesht profile politike, por duhet të kenë aftësi menaxheriale.

“Jemi dëshmitarë se kapacitetet e partive politike janë të një niveli të çuditshëm të cilët merren më tepër me nevojat e veta partiake se sa me nevojat e qytetarëve. Profilet që ato janë tani duke i ofruar, që shihen, janë më tepër profile politike, nga ana tjetër profili i kryetarit të komunës është një profil menaxherial dhe këtu ndodhi jokoincidenca e parë e kryetarit të komunës me atë çka është dhe çka duhet të jetë. Këtu nisi epopeja e jodefinimit të saktë se si dhe në ç’mënyrë duhet të menaxhohet komuna”, thotë Demiri për MTV2, transmeton Zhurnal.mk

Edhe fushata për zgjedhjet lokale pritet të jetë politike dhe assesi me terminologji menaxheriale, theksoi Demiri, duke shtuar se kandidatët parapëlqejnë të flasin për politika “të mëdha” dhe jo për zgjidhjen e problemeve reale në infrastrukturë, kanalizime dhe deponi.

Edhe pse asnjë kandidaturë nuk është zyrtarizuar, sipas paralajmërimeve, BDI do të garojë me kandidatët e njëjtë në komunat kryesore urbane, si Tetova, Gostivari, Kërçova dhe Dibra. “Besa”, jozyrtarisht, ka paralajmëruar kandidatët për Çairin, Likovën dhe Haraçinën etj.

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka paralajmëruar se sërish do të garojë për Strugën. Ka filluar edhe grumbullimi i nënshkrimeve për kandidatë të pavarur, i cili zgjat deri më 4 shtator.

Ndërkaq, dy partitë më të mëdha maqedonase deri tani kanë promovuar më pak se 10 kandidatë, gjithsej.