“I pari i shtetit duhet të jetë figure që bashkon dhe jo që ndan. I pari i shtetit duhet të jetë figurë, që afirmon, që respekton të gjithë njerëzit e këtij trolli”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.Që para 5 vjetëve BDI dhe lideri i saj Ali Ahmeti, kërkuan një kandidat konsensual për president të shtetit. Edhe për zgjedhjet e ardhshme presidenciale që do të mbahen në prill të vitit të ardhshëm ky opsion do të jetë zgjidhja e vetme e pranuar për BDI-në. “Nuk kemi diskutuar për emra të përveçëm dhe akoma jemi larg dakordimit të një emri për President konsensual dhe kandidat. Por, gjithsesi kush do qoftë të jetë personi – burrë apo grua, do të jetë një person i cili do ta ketë pajtimin, në veçanti të dy komuniteteve më të mëdha të shoqërisë sonë”, u shpreh Artan Grubi, deputet i BDI-së. LSDM-ja hedh poshtë emrat e spekuluar në opinion publik.
Nga atje thonë se në kuadër të organeve të partisë, çështja e kandidatit për President të shtetit akoma nuk është hapur.
“Në kudër të organeve dhe trupave të partisë, çështja e kandidatit për President të shtetit në zgjedhjet që duhet të mbahen vitin e ardhshëm në prill, akoma nuk është hapur. Atë që mund ta them është se i hedh poshtë të gjitha spekulimet – se është caktuar ndonjë kandidat. Por, mund të pohoj me siguri se Maqedonisë i nevojitet një President i cili në mënyrë të denjë do ta kryejë funksionin – President i shtetit”, u shpreh deputeti i LSDM-së, Konstandin Konstandinov. Së fundmi në opinion është përmendur emri i profesorit dhe ish-ministrit të par të jashtëm të Maqedonisë Denko Malevski, si kandidat i mundshëm për president. Ai nuk e mohon këtë, ndërsa thotë se deri tani nuk ka pranuar ndonjë ftesë nga LSDM, ose BDI për të biseduar për këtë temë. “Është një barrë për të cilën ia vlen të mendohet dhe ndoshta edhe të krijoj kushte për një angazhim të tillë”, u shpreh Denko Malevski, profesor. Nga VMRO-DPMNE thonë se nga fundi i muajit janar të vitit të ardhshëm do ta zbulojnë emrin e kandidatit për president. Ndryshe Gjorge Ivanov në krye të Presidencës së Republikës së Maqedonisë erdhi nëpërmjet zgjedhjeve të rregullta presidenciale në vitin 2009. Ai serish nëpërmjet zgjedhjeve të rregullta fitoi edhe mandatin e dytë i cili i përfundon në vitin 2019.Mandati i dytë i Ivanovit dhe zgjedhja e tij u kontestua nga BDI, e cila thirri për bojkot gjatë votimit./TV21