Këshilli i Evropës ka publikuar një draft dokument lidhur me konkluzionet e tij në lidhje me Procesin e Zgjerimit dhe të Stablizimit Asocimit për vendet e Ballkanit.

Ndër to është edhe Kosova, ku këshilli ka përmendur disa pika dhe ka vlerësuar disa nga marrëveshjet e Kosovës si ajo e Stablizimit Asocimit, Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, Dhomat e Specializuara e zgjatja e mandatit të EULEX-it në Kosovë.

Në këtë raport, thuhet se këshilli ka mirëpritur ratifikimin e marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi.

“Këshilli mirëpret ratifikimin e marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi nga ana e Kuvendit të Kosovës, e cila përbën përmbushjen e njërit prej kritereve për liberalizimin e vizave të Kosovës. Këshilli merr parasysh qëllimin e Komisionit për të paraqitur një vlerësim të referencës përfundimtare në forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe fton Komisionin të raportojë nëse ky kusht po vazhdon të përmbushet”, thuhet në këtë raport.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Këshilli thuhet se ka mirëpritur bisedimet që janë duke u bërë me ndërmjetësim të Përfaqësueses së BE-së, Federica Mogherini me qëllim normalizimin e marrëdhënieve “duke përfshirë edhe në formën e një detyrimi ligjor/marrëveshje, e cila është çelësi për rrugët e tyre evropiane përkatëse dhe thelbësore për qëndrueshmëri rajonale”.

Ndërsa, në këtë raport theksohet edhe krijimi i ekipit drejtues për të hartuar statusin e Asociacionit apo ndryshe komunave me shumice serbe në Kosovë në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe pret që të dyja palët të përmbushin me shpejtësi këtë dhe marrëveshjet e tjera si energjia, Ura e Mitrovicës, njohja reciproke e diplomave e të tjera.

“Këshilli i kërkon Kosovës të zbatojë me shpejtësi në mirëbesim të gjitha marrëveshjet e kaluara dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive me Serbinë në formulimin dhe zbatimin e marrëveshjeve të ardhshme”, thuhet ndër të tjerash në raport.

Në këtë raport përmendet edhe vrasja e politikanit serb Oliver Ivanoviq, duke i bërë thirrje Kosovës që të intensifikojë urgjentisht përpjekjet e saj për të përmirësuar sundimin e ligjit.

“Këshilli vëren se sundimi i ligjit në veri të Kosovës ka sfida të veçanta, veçanërisht luftën kundër krimit. Kjo kërkon bashkëpunim urgjent dhe efikas të gjithë akterëve dhe mbetet thellësisht e shqetësuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit në veri të Mitrovicës në janar 2018. Këshilli thekson domosdoshmërinë që kryesit e veprave të sillen para drejtësisë. Kosova gjithashtu ka nevojë vazhdojnë të intensifikojnë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në këtë raport.

Ndërsa, sa i përket luftës kundër radikalizmit, ekstremizmit dhe terrorizmit, Këshilli thuhet se ka vërejtur përparim thelbësor.

Dhomat e Specializuara janë pjesë e këtij raporti. Në konkluzionet e këshillit thuhet se Kosova duhet të vazhdoj angazhimin e vazhdueshëm për Specialen në përputhje me detyrimet e saj ndërkombëtare dhe për të garantuar sundimin e ligjit, liritë themelore, drejtësinë dhe pajtimin.

Ndërsa, krejt në fund thuhet se këshillit ka mirëpritur marrëveshjen për zgjatjen e misionit të EULEX-it në Kosovë deri në qershor të 2020-ës.

Këshilli kërkon nga vendi ynë që të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë dhe në mënyrë efektive me EULEX.

Në këtë link mund të lexoni raportin e plotë për Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit.