Edhe përkundër intesifikimit të takimeve midis palës maqedonase dhe greke për gjetjen e zgjidhjes për emrit, analistët e vendit janë të ndarë në opinionet e tyre se kjo do të nënkuptonte edhe finalizim të kontestit. Analisti politik Albert Musliu, optimist, thotë se negociatat po hyjnë në fazën përfundimtare pasiqë dyja palët janë të përmbajtura në prononcimet publike ndërkaq po shpeshtojnë takimet bilaterale.
“Gjithsesi negociatat e këtij formati, në fazat fillestare mund të përmbyllen çështje më të lehta. Normalisht se tek ato kah përfundimi e kanë pjesën më të rëndë për të tejkaluar, por vetë fakti që takimet intensifikohen, vetë fakti që të dyja palët relativisht përmbahen prej deklaratave të pamatura edhe pse kemi spekulime nëpër media por nga zyrtarë kemi deklarata të përmbajtura, besoj që negociatat po hyjnë në fazën përfundimtare”, tha Alebrt Musliu, analist politik.
Profesori Denko Malevski thotë se me takimet e shpeshtuara të të dyja palëve, nuk mund të thuhet se ato janë afër zgjidhjes por vetëm se dëshmohet se po ecet në rrugën e duhur. Maqedonia do të duhet të rregullojë atmosferën e brendshme politike para se të prodhojë një zgjidhje, thotë Malevski.
“Mendoj se duhet të jemi optimist dhe se këto takime shkojnë në drejtim të gjetjes së zgjidhjes. Por sa sistemet politike të dy shteteve do të arrijnë të prodhojnë zgjidhjen finale mbetet të shihet. Në Greqi sistemi politik është nën ndikimin e fuqishëm të partive nacionaliste , ndërkaq në Maqedoni sapo jemi duke dalë nga një krizë politike. Opozita akoma nuk është kthyer në kuvend. Të gjitha këto punë do të duhet të rregullohen para se sistemi politik në Maqedoni të prodhojë një zgjidhje”, tha Denko Malevski, profesor universitar.
Për më 12 prill është paralajmëruar vizita e rradhës e ministrit të jashtëm grek Nikos Kocias në Shkup. Intesifikimi I takimeve vjen në prag të dhënies së rekomandimit për çeljen e bisedimeve të Maqedonisë me BE-në në qershor dhe samiti të NATO- s në korrik.