Kontesti për emrin pas përfundimit të zgjedhjeve lokale në Maqedoni dhe suksesin që e arriti koalicioni qeveritar, sërish kthehet në fokusin e diplomacisë ndërkombëtare, i ndjekur me optimizëm të madh dhe pritje për tejkalimin e tij përfundimtar, ndërsa takimi i parë i negociatorëve të së dyja palëve pritet deri në fund të muajit. Këtë me deklaratat e tyre ditëve e konfirmuan edhe kryeministri Zoran Zaev, shefat e diplomacive të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias, si dhe paralajmërimet optimiste të zv.sekretarit shtetëror amerikan Hoyt Yee, përcjell Fol.

Kryeministri Zaev dje deklaroi se Maqedonia duhet të jetë e përgatitur për të lëvizur për çështjen për emrin, duke vlerësuar se tani ka shanse më të mëdha se më parë të gjendet zgjidhje me Greqinë.

”Me Republikën e Greqisë kemi shanse më të mëdha sa më parë që gjejmë zgjidhje. Pres që deri në fund të këtij muaji do të fillojnë të lëvizin gjërat, madje të negociatorëve me Niemetz. Qëndroj edhe në dispozicion për nivel kryeministror, ministri i Punëve të Jashtme është i gatshëm, tanimë biseduam me presidentin e shtetit. Lidhur me këtë çështje, Maqedonia duhet të jetë e gatshme për të lëvizur përfundimisht për zgjidhje të kësaj çështjeje”, tha Zaev.

Përfaqësuesi i lartë i Departamentit të Shtetit, Hoyt Bryan Yee, këtyre ditëve doli me qëndrim se zgjidhja e çështjes për kontestin me emrin dhe tani është në nivel më të lartë dhe më afër gjetjes së zgjidhjes.

”Ka edhe shumë punë që të përfundohet, edhe atë nga të dyja palët. Do të ketë negociata dhe unë jam optimist se do të ketë zgjidhje sepse disponimi edhe në Greqi edhe në Maqedoni, është nivelin më të lartë prej kurdo qoftë deri tani”, ka theksuar Yee.

Edhe shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov theksoi se ekziston tentim që të krijohet një klimë pozitive, që sipas tij, është meritë e mësimit shkencor me Maqedoninë që mund të ndodhë kur ndonjë vend është lënë një kohë të gjatë në pushimoren e BE-së.

”Prej këtu, ka një vullnet politik, një optimizëm të nxirret mësim dhe të hapen dyert. Dhe prej atje mesazhe të këtijall inkurajuese”, ka thënë Dimitrov.

Ai paralajmëroi se deri në fund të këtij muaji do të mbahet takim i nivelit të negociatorëve lidhur me kontesetin për emrin. /Fol/