Duhet vullnet politik dhe punë në rrugë institucionale që të zgjidhet çështja e ish-ushtarëve dhe familjeve të dëshmorëve. Ish-eprori i UÇK-së, Azbi Nuredini, është nismëtar i hartimit të një draft-ligji që do të rregullonte statusin e ish-ushtarëve dhe familjeve të dëshmorëve të rënë në vitin 2001.

Në këtë ligj kërkohet sigurim social, përparësi në sigurimin banesor të kategorive që janë në nevojë të ish-ushtarëve, shkollimin e fëmijëve të tyre si dhe përparësi në punësim të disa kategorive.

Nuredini për këtë propozim ligj ka kërkuar mbështetje dhe sensibilizim të faktorit politik, pavarësisht përkatësive etnike.

“Reagimi ka qenë pozitiv dhe kemi hasur në mirëkuptim nga këta funksionarë, dhe jemi dakordësuar që hapat paraprak t’i bëjmë në koordinim, dhe të presim momentin e stabilizimit të skenës politike këtu në Maqedoni, sa i përket konsolidimit të institucioneve, që të mund të bëjmë një hap nga i cili do të ketë edhe suksese”, thotë për Tv21, Azbi Nuredini, hartues i draft ligjit për statusin e ish-ushtarëve.

Nuredini thotë se me këtë draft/ligj, kërkohet që ish-ushtarët dhe familjet e dëshmorëve të UÇK-së, të mbështeten njejtë si­ç mbështeten me ligj “Branitellët”. Sipas tij, nëse ka vullnet politik dhe ky ligj merr dritë jeshile, miratimi i tij do të jetë çështje muajsh.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Organizatës së Vetetarënve të Luftës së UÇK-së, nuk e sheh të nevojshëm sjelljen e një ligji të ri. Ai thotë se duhen bërë ndryshime në ligjin aktual.

“Nuk ka nevojë për një ligj të tillë, mjafton që ligji, ajo që është në dispozitat e përgjithshme të nenit 86 të ligjit, te ndalohet, të hiqen ato nën-nene ku sanksionohet dhe shkruhet qartë se nuk kanë të drejtë të gëzojnë këtë të drejtë individë apo grupacione të cilët ne mënyrë direkte apo indirekte, kanë ndihmuar formacionet paraushtarake ose ushtarake me tendencë për të prishur rendin kushtetues të Maqedonisë, konkretisht UÇK-në”, tha për Tv21, Besim Hoda, OVL-UÇK.

Zgjidhje për satusin e ish-ushtarëve, sipas Hodës, është krijimi i një kompromisi nga pala shqiptare dhe ajo maqedonase, që do të ishte në interest e të të gjithë qytetarëve.