Katër ditë në fokus të opinionit është arrestimi dhe zgjidhja ligjore e ngjarjeve që ndodhën më 27 prill në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, përcjell Fol.

Dje, Kuvendi i Maqedonisë në seancë e miratoi kërkesën e Gjykatës Penale për për paraburgim të deputetëve Kërsto Mikovski, Johan Tarçullovski, Zhaklina Peshevska, Ljuben Arnaudovski, Ljupço Dimovski dhe Sasho Vasilevski, me çka përfundoi procedura e paraparë me Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutë për heqjen e imunitetit gjashtë deputetëve nga koalicioni VMRO-DPMNE për shkak ngjarjeve nga 27 prilli në Parlament.

Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së nuk mori pjesë në seancë. Sipas tyre, seanca është “një farsë politike, qëllimi i të cilës është revanshizmi, mbjellja e urrejtjes dhe shkatërrimi i të gjithë atyre  që mendojnë ndryshe”.

Pas përfundimit të seancës kuvendore, kryetari i Parlamentit  Talat Xhaferi i nënshkroi vendimet për heqjen e imunitetit gjashtë deputetëve dhe ato tashmë janë dërguar deri te Gjykata Penale.

Gjashtë deputetë janë pjesë e 36-të personave të cilët Prokuroria Publike Themelore i ndjek për “rrezikimin terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”, lidhur me ngjarjet e 27 prillit të këtij viti në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. 

Siç deklaroi ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, kërkohen edhe gjashtë prej gjithsej 36-të personave

Arrestimet e të dyshuarve për ngjarjet nga 27 prilli filluan të martën kur mes të arrestuarve ishin edhe ish ministri i Punëve të Brendshme dhe drejtor i DSK-së, Mitko Çavkov, gjashtë deputet dhe udhëheqësit e nismës qytetare “Për një Maqedoni të përbashkët”. Një pjese prej tyre u është caktuar masa paraburgim prej 30-të ditëve, ndërsa një pjese arrest shtëpiak.

Ish ministri i Punëve të Brendshme Çavkov, të cilit gjithashtu i është caktuar masa paraburgim prej 30-të ditëve, mban grevë urie.

Për shkak ngjarjeve aktuale, VMRO-DPMNE-ja opozitare çdo ditë i bllokon rrugët dhe mbanë protesta para Gjykatës Penale në Shkup. /Fol/