Lideri i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela sot ka zhvilluar një takim me Ambasadorin e Italisë në Shkup, shkëlqesinë e tij z. Karlo Romeo. Ziadin Sela ka informuar Ambasadorin e Italisë, për aktualitetet e fundit politike në vend. Sela gjithashtu ka informuar ambasadorin Romeo edhe për sjelljen e Ligjit të Gjuhës shqipe në Kuvend si dhe mundësitë e hyrjes në fuqi, si dhe zbatimin e domosdoshëm në praktikë, si element i rëndësishëm i demokratizimit të shtetit dhe shoqërisë multietnike.

Temë tjetër diskutimi nga ana e kryetarit Sela kanë qenë edhe vërejtjet e tij për Qeverisjen LSDM-BDI si dhe për dinamikën e reformave sidomos në Drejtësi, reforma këto të cilat nuk janë në pajtueshmëri me pritshmërinë e qytetarëve të Maqedonisë.

Aleanca për shqiptarët ka qenë dhe gjithmonë do të jetë në gatishmëri për të kontribuar në rrugëtimin e proceseve eurointegruese të Maqedonisë për ne BE dhe NATO, ka deklaruar kryetari i Aleancës. Në këtë kontekst, z. Sela ka kërkuar mbështetje nga Ambasadori i Italisë, si një shtet mjaft i rëndësishëm i BE-së dhe NATO-s, që Italia t’i ndihmoj Maqedonisë që sa më parë të bëhet pjesë e strukturave euro atlantike.