Real Madridi i Zinedine Zidane, është skuadra e vetme në top pesë ligat në Evropë që nuk din për humbje këtë edicion dhe tani do të tentojë të thyejë rekordin e Real Madridit të Fabio Capellos, që në sezonin 1996/97 kishte shkuar në 25 ndeshje pa humbje me radhë në një edicion.
Zidane mund ta thyejë këtë rekord të dielën kur të takohet me skuadrën japoneze Kashima në Kupën e Botës për Klube, ndeshje kjo që zhvillohet nga ora 11:30.
Është interesante fakti se nga 25 ndeshjet e para pa humbje, Zidane e Capello regjistrojnë statistika të ngjashme: 18 fitore e shtatë barazime.
Kjo ecuri e Real Madridit të Capellos ishte ndalur nga Barcelona në sfidën e vlefshme për Copa del Rey, ku kishte humbur 3:2, shkruan e përditshmja spanjolle AS.
Se a do ta thyejë Zidane edhe këtë rekord historik të “Los Blancos”, mbetet të shihet gjatë ditës së nesërme, ku Mbretërit janë favoritë të padiskutueshëm për ta fituar trofeun e Kupës së Botës për Klube, çka do të bënte që ekipi i Zidane të shkonte në 26 ndeshje pa humbje këtë edicion në gjitha garat dhe në 37 në përgjithësi duke llogaritur edhe edicionin e kaluar.