Qeveria nuk do t’i ndërpresë marrëveshjet e qirasë zyrave të ish presidentëve Gjorge Ivanov dhe Branko Cërvenkovski, siç kërkohet nga Komisioni Anti-Korrupsion. Sipas zëdhënësit të Qeverisë, derisa të ndryshohet legjislacioni për të drejtat dhe privilegjet, do të respektojnë ligjet ekzistuese.

Qeveria e RMV-së, është duke vepruar në përputhje me dispozitat ligjore pozitive. Nëse ka ndryshime në privilegjet e ish-funksionarëve të RMV-së, Qeveria do t’i respektojë dhe veprojë mbi ta. Për sa kohë që këto ingerenca dhe privilegje janë në fuqi, për ish funksionarët, domethënë, për sa kohë që i njëjti ligj është në fuqi, ai do të zbatohet ashtu – tha Muamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë së RMV-së.

Ish-anëtari i komisionit antikorrupsion Arif Musa thotë se duhet të kontrollohet kushtetutshmëria e ligjit dhe të hetohet plotësisht se si ish presidentët i përdorin përfitimet.

Antikorrupsioni kërkoi dje që Shërbimi për Punëve të Përgjithshme dhe të Përbashkëta i Qeverisë të ndërpresë qiradhëniet e zyrave të ish-Presidentëve Gjorge Ivanov dhe Branko Cërvenkovski, pasi konstatuan se Ivanov kishte zgjedhur zyrat në një mënyrë jo transparente në të cilën ka përfituar një person i afërt i tij. Antikorrupsioni kërkoi që ata të marrin zyra në pronësi të shtetit, dhe do të fillojnë një rishikim të dispozitave ligjore për të kufizuar kohëzgjatjen që ish-krerët e shtetit të mund të ushtrojnë privilegjet e tyre. Ata gjithashtu njoftuan se do të dorëzojnë iniciativë në Gjykatën Kushtetuese. Ivanov dhe Cërvenkovski përdorin gjithashtu të drejtën për pension të përjetshëm, dhe sipas Ligjit për të drejtat e Presidentit dhe familjes së tij, kanë një sigurim personal, një makinë zyrtare, një zyrë dhe tre punonjës. Llogaritjet e antikorrupsionit kanë treguar që shteti deri tani ka shpenzuar 1.1 milion euro për të dy presidentët.