Shkruan Skender Skenderi

Me koalicionin e lidhur mes Aleancës për Shqiptarët tanimë forcë e dytë në bllokun politik shqiptar dhe me Lëvizjen Besa tanimë si forcë e tretë, e që bashkë të dyja përfaqësojnë shumicën legjitime të shqiptarëve, është vënë në pozitë të palakmueshme BDI-ja.

Këto ditë portalet dhe eksponentët e BDI-së, dalin me “lajmin”se ajo do ta merr PDSH-në në qeveri, kuptohet pasi ta largojë Aleancës për Shqiptarët. Dihet fort mirë që BDI-në askush nuk e pyet për këtë, madje ajo as veten nuk sigurohet dot. Ajo hyri në qeveri me Nikollën, por keq e doli, ia prishi “dora nga lart”. Por lind pyetja: ”Pse atëherë luhet kjo lojë?”. Kjo propagandë bëhet me të vetmin qëllim, përfitimin e atyre votave të votuesve të PDSH-së, të cilët natyrshëm dhe logjikshëm do të shkonin për kandidatët e Aleancës për Shqiptarët, sepse janë vota opozitare drejtpërdrejt kundrejt BDI-së.

Edhe pse duket që strukturat e PDSH-së, mund të mbështesin BDI-në, për shkak të ruajtjes së interesave personale të disa personave kryesorë të saj, kundërshtarët tradicionalë të BDI-së nuk do ti nënshtrohen këtij pazari në momentin kur mund t’ia japin grushtin e fundit kësaj strukture që i përdhosi ata shumë vite radhazi. Votuesit e PDSH-së të cilët me vite të tëra nuk e votuan BDI-në, edhe kur ajo i joshte me mashtrime është krejtësisht e palogjikshme tani ta mbështesin BDI-në e të bëhen shpëtimtarët e saj.
Tani ka ardhur ai momenti që me mençuri përtej interesave shumë të ngushta partiake apo inateve personale të disa prej drejtuesve të PDSH-së të drejtohet vota ku e ka vendin.

BDI-ja është përpara “Urës së Siratit”, andaj mos u bëni kurban të saj.