Inflacioni në Eurozonë është rritur me një normë më të ngadaltë se sa u vlerësua më parë për muajin Mars, duke vështirësuar punën e politikëbërësve të Bankës Qendrore Europiane në heqjen e stimujve monetarë.

Çmimet e konsumit në 19 vendet që ndajnë euron u rritën me vetëm 1.3 për qind në mars, tregon zyra e statistikave e Bashkimit Europian, poshtë vlerësimit fillestar prej 1.4 për qind.

Rishikimi është ende sipër vlerësimit prej 1.1 për qind në muajin shkurt. Inflacioni bazë, që heq komponentët e luhatur si ushqimi dhe energjia, qëndroi në 1 për qind për të tretin muaj radhazi.

Çmimet e ushqimit të papërpunuar u rritën me 0.8 për qind në mars, ndërsa shërbimet dhe energjia janë ngadalësuar nga muaji i kaluar.

Ndërkohë, inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar, është ngadalësuar në nivelin më të ulët në 1 vit gjatë marsit, duke ngritur dyshime mbi ndërhyrjen e Bankës së Anglisë në muajin e ardhshëm.

Inflacioni u ngadalësua në 2.5 për qind nga 2.7 për qind që ishte në shkurt. Sipas zyrës së Statistikave në Londër, inflacioni arriti majën në muajin nëntor, kur preku 3.1 për qind. /Telegrafi/