Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në NATO është i një rëndësie vitale për paqen dhe stabilitetin në rajon, theksoi ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, Mimi Kodheli, në një konferencë të përbashkët për shtyp në Tiranë me homologen e Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, raporton AA.

Kodheli tha se procesi i zgjerimit të NATO-s është një proces i pandalshëm. “Shqipëria beson fuqishëm se e ardhmja e vendeve të Ballkanit është integrimi euroatlantik. Procesi i zgjerimit të NATO-s, është një proces i pandashëm. Integrimi i plotë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Aleancën e Atlantikut të Veriut është i një rëndësie vitale për paqen dhe stabilitetin në rajon. Ne vlerësojmë dhe nxisim në vazhdimësi përpjekjet dhe punën e Maqedonisë në fushën e mbrojtjes”, u shpreh Kodheli.

Sipas saj, Shqipëria është e gatshme të bashkëpunojë me qeverinë e re të Maqedonisë, duke shtuar se tani është koha për të vijuar proceset për të cilat ka nevojë Maqedonia.

“Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me qeverinë e re të Maqedonisë, për të trajtuar çështjet dhe sfidat, me të cilat ballafaqohen për çdo ditë vendet tona duke përfshirë nevojën për reforma. Pas një periudhe krizash dhe një situate jo të qëndrueshme është koha që të gjithë aktorët politikë të ndërtojnë momentin për të vazhduar proceset për të cilat ka nevojë Maqedonia, të cilat duhet padyshim të fillojnë pa vonesë”, theksoi Kodheli.

Ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, deklaroi se midis dy vendeve është diskutuar në disa fusha kyçe që nisin me luftën kundër fundamentalizmit dhe terrorizmit.

“Edhe me nivelin aktual të bashkëpunimit gjithnjë ka hapësirë për promovim të mëtejshëm. Në këtë kontekst kemi diskutuar disa fusha kyçe në trajtimin e të gjitha llojeve të rreziqeve, bashkëpunim në luftën kundër fundamentalizimit dhe trajtimin e kërcënimeve terroriste. Faktet tregojnë se Maqedonia dhe Shqipëria kanë bashkëpunuar dhe zbatuar projekte në shkallë të gjerë në mënyrë bilaterale dhe rajonale, siç është Karta e Adriatikut, të cilën e kemi nisur së bashku me Kroacinë në vitin 2003”, u shpreh ministrja e Mbrojtjes së Maqedonisë.

Shekerinska theksoi ndër të tjera se integrimi i Maqedonisë në NATO do të sjellë një shtysë të re për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit dhe Evropës.

“Maqedonia në NATO do të sjellë një shtysë të re për sigurinë dhe stabilitetin e këtij rajoni, e cila ka qenë e rëndësishme në ruajtjen e sigurisë të të gjithë kontinentit, veçanërisht në lidhje me krizën e emigrantëve. Maqedonia po investon përpjekje të konsiderueshme për të eliminuar të gjitha vërejtjet e bëra dhe shpresojmë se qasja jonë e re do të shihet dhe do të vlerësohet nga partnerët tanë. Për këtë ne kemi nevojë për miqtë tanë më të afërt si Shqipëria”, deklaroi ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë.