E dëgjuam Veselin ne Kuvend kur i shqetësuar kërkoi llogari për turqit e deportuar, por pas kësaj që tha Thaçi ai duhet te flasë prapë. Thaçi e mori përsipër aksionin e kidnapimit dhe dërgimit të gjashtë gylenisteve te pushteti i Erdoganit.

Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli, kishte kërkuar llogari prej secilit që ishte i përfshirë në kidnapimin dhe depërtimin e gjashtë gylenistëve nga Kosova për në Turqi.

Kryeparlamentari ishte pajtuar me shkarkimin e dy zyrtarëve, Ministrin Flamur Sefaj dhe Drejtorin e AKI’së, Driton Gashin. Kishte thënë se edhe zyrtarë tjerë në hierarkinë e Shtetit do të japin përgjigje për këtë turpërim.

Mirëpo, sot, Presidenti në një konferencë për shty, pranoi se e ka ditur dhe ka miratuar deportimin e gylenistëve për në Turqi. Madje, Shefi i Shtetit citoi edhe raportin e AKI’së me të cilin turqit që jetonin në Kosovë dyshoheshin se kanë kryer vepra penale dhe kanë kërcënuar sigurinë kombëtare.

Pas kësaj që tha sot Presidenti fjalën duhet ta marrë Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli i cili bashkë me Haradinajn deklaruan se kanë qenë në terr informativ për operacionin sekret të dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova.

Pas kësaj që tha Presidenti Hashim Thaçit duhet të flasë edhe Kadri Veseli. Të tregojë nëse qëndron prapa kërcënimit se do të kërkojë llogari prej të gjithëve që kanë qenë të përfshirë në këtë turp të Kosovës. Ose të tregojë se vazhdon t’i nënshtrohet Hashim Thaçit dhe tekeve të tij për të marrë të gjitha kompetenca e Shtetit në duart e tij.

Presidenti lëshoi akuza në drejtim të Kadri Veselit dhe Ramush Haradinajt duke thënë se udhëheqësit e Shtetit nuk kanë marrë pozitat për të deklaruar se s’dimë çka po ndodh me Shtetin.

Në këtë formë, Thaçi kërkoi përgjegjësi edhe prej tyre se pse nuk po janë të njoftuar për ngjarjet që po ndodhin në Republikë dhe në të njëjtën kohë po i ikin përgjegjësisë.

Presidenti i Shtetit po del të jetë personi që ka koordinuar operacionin e AKI’së dhe inteligjencës turke për kidnapimin e gjashtë shtetasve turq dhe dëbimin e tyre në Turqi.

Pas këtij aksioni, Ramush Haradinaj, ka shkarkuar dy zyrtarë Shtetërorë, të cilët ende nuk kanë shkuar në shtëpi.

Madje, Presidenti Hashim Thaçi ende nuk ka pranuar të nënshkruajë shkarkimin e Driton Gashit nga AKI’ja.

Kadri Veseli kishte ardhur në krye të PDK’së por asnjëherë deri tash s’ka mundur të dalë nga hija e ish-Kryetarit të Partisë, i cili po vepron sikur të kishte të gjitha pozitat shtetërore.

Veseli në vazhdimësi ishte treguar kritik i veprimeve të Shtetit të Kosovës se po drejtohet kah Lindja dhe Turqia, por, ka dështuar të ndryshojë trasenë e kësaj rruge.