Pas lajmeve se LSDM po shqyrton mundësinë që RDK-së së Vesel Memedit t’ia marrë resorin e Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe se këtë tia ofrojë në pako partnerëve të ri të koalicionit që sipas gjasave pritet të jenë Lëvizja BESA e udhëhequr nga Afrim Gashi, kjo gjë është mohuar nga burime qeveritare për INA.

Sipas tyre, Ministria e Pushtetit Lokal nuk do të preket dhe se për këtë insiston edhe vetë kreu i BDI-së, Ali Ahmeti për të respektuar marrëveshjen që ka me Vesel Memedin. BDI bashkë me RDK numërojnë 11 deputetë, ndërsa ata përbëjnë edhe shtyllën kryesore të qeverisjes së kryeministrit Zoran Zaev.

Ditë më parë burime brenda qeverisë theksuan për INA se Zaev e kishte futur në listën e ndryshimit këtë resor ministror, që do ta përdor për pazar me partnerët e ri të planifikuar të koalicionit.

Vesel Memedi në deklarimet e fundit ka përjashtuar ndonjë lëkundje të pozicioneve të tij në qeveri, që sipas tij janë ndërtuar mbi bazën e konzistencës politike dhe jo aventurave që i pësuan disa parti tjera.

Por megjithatë muajin tjetër do të dihet se çfarë do të ndodhë me Qeverinë dhe cilët ministra do të ikin, për tu zëvendësuar me të rinj.(INA)