“Logjika” e Kryeministrit Zaev për lojërat e fatit

Shkruan Alpin Ollogu

Deklarata e djeshme e Kryeministrit Zaev se: “ai që luan bixhoz – baste, përsëri do të luajë”, në kontekstin e asaj që ndalimi radikal i lojërave të fatit në shembullin e R.Shqipërisë, nuk do të japë rezultat, pasi ata që luajnë lojëra fati do të luajnë cdoherë, në kuptimin se nuk do të ndalen duke gjetur mënyra të ndryshme për të luajtur, është deklaratë e një logjike të dobët, madje shumë të dobët për një burrështetas i cili udhëheq qeverinë, fatin e një populli të tërë. Logjika është e dobët për arsyen e thjeshtë, me logjikën e Kryeministrit, ai që kryen një vepër penale, përsëri do të bëjë një vepër penale, dhe kështu qenka e kotë të sanksionohet korrupsioni, vrasja, lëndët narkotike, armët pa leje, etj., qenka e kotë të ndalojmë ato në mënyrë radikale, pasi njerëzit do të vazhdojnë të krzejnë të njëjtat gjithmonë sipas logjikes së të parit të qeverisë.

Kryeministri në njërën anë në deklaratën e tij shpreh shqetësimin dhe alarmin për lojërat e fatit në R.Maqedonisë, në anën tjetër bën një deklaratë kundërthënëse me realitetin e punëve që ai ka marrë përsipër të kryejë si udhëheqës, vendosjen e shtetit të së drejtës, dhe detyrojë shkelësit e ligjit të përgjigjen dhe nënshtrohen ligjit. E jo e kundërta, që ligji ti nënshtrohet dëshirave dhe veseve të qytetarëve të papërgjegjshëm e dëmsjellës.

Për më tepër ai shton se: “edhe në shtetet që kanë ndaluar në mënyrë radikale lojërat e fatit, si përvoja në R.Shqipërise dhe vende të tjera, njerëzit vazhdojnë të luajnë”. Krzeministri e thotë këtë për të arsyetuar refuzimin e kërkesës së qytetarëve dhe disa subjekteve politike të cilët bëjnë thirje për mbylljen kategorike të lojërave të fatit, ngjashëm me ligjin e miratuar në shtetin fqinj. Pastaj shtrohet pyetja, sa shpejt u informua Zaevi se në R.Shqipërisë njerëzit akoma vazhdojnë të luajnë baste, ku në fakt ky ligji hyri në fuqi nga 1 janari i këtij viti, pra nuk i bëri as një javë. Duke i kujtuar Kryeministrit se po me këtë ligj në R.Shqipërisë janë mbyllur tashmë 4300 pika bastesh, të të gjitha kategorive, dhe të atyrë njerëzve të fuqishëm të nëntokës së kriminalizuar, ose të lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me njerëz të fuqishëm të pushtetit.

I kujtojmë gjithashtu Kryeministrit se edhe pse ligji ndalon veprat penale të ndryshme, njerëzit përsëri vazhdojnë të kryejnë, por jo në atë masë që do bënin sikur të mos kishte ligj dhe sanskione të ndryshme për këto vepra penale. Pra, çështja qëndron në arsyen e reduktimit më të mirë të mundshëm për të larguar një të keqe e cila është shkatërruese për qytetarët e vendit, dhe si rrjedhojë shtetin e mirëqenies sociale për të cilin trumbeton me të madhe i pari i qeverisë.

Logjikës së dobët të kryeministrit në deklaratën e tij për lojërat e fatit, ndoshta i fshihet edhe mosdashja e qëllimshme për ndalimin kategorik të lojërave të fatit, dhe kjo si rezultat se ai shikon në perspektivë afatshkurtër, shikon mbushje të buxhetit të shtetit me tatimin e këtyre bizneseve, punësimin e qindra mijërave personave – frikën e revoltës momentale për në zgjedhje të afërta nga të punësuarit, si dhe frikën për tju siguruar politika punësimi adekuat këtyre personave. Mund të konsiderohet si paaftësi e të parit të qeverisë për të menaxhuar situata në miratimin dhe zbatimin e ligjeve afagjate të dobishme.

E dyta, që Zaevi mund të fshehë në “logjikën” e deklaratës së tij për lojërat e fatit, mund të jetë edhe lidhja e pronarëve të lojërave të fatit me financime partiake të forcave politike, konkretisht të forcës së tij politike që është pjesë e qeverisë të cilën ai e drejton. Në një formë mund të jetë i kapur nga këto organizime biznesi të lidhura edhe me elemente kriminale, si rëndom në shtete të dobëta të së drejtës.

Sido që të jetë, Zaevi këtu dështon, sic dështon në reformën e gjyqësorit me mospranimin e vetingut të gjykatësve dhe prokurorëve, duke i lënë në sistem ata që e kanë shkatërruar dhe po e shkatërrojnë sistemin, dhe duke u mjaftuar me reforma fasadë të ligjeve të reja, të cilat për ironi do duhet ti zbatojnë kriminelët e veshur me petkun e gjykatësit dhe prokurorit. Për reformën në drejtësi me të cilën do të jemi dëshmitarë të dështimit të radhës, sic do të jemi dëshmitar të dështimit të ligjit për lojërat e fatit, nëse miratohet siç përflitet me “disa metra larg institucioneve, ose kontrollit me rigoroy të licensave” , e të tjerë të ngjashëm.

Në fund i kujtojmë Kryeministrit se në R.Maqedonisë në mesatare vjetore çdo person i moshës madhore harxhon nga 200 – 250 euro për pagesë të skedinave dhe në aparate bixhozi, dhe kjo shumë çdo vit rritet frikshëm. Gjendja vështirësohet edhe më tepër kur R.Maqedonisë bëhet një target i biznesit të lojërave të fatit që vijnë nga R.Shqipërisë, pas mbylljes që ato pësuan në vendin e tyre.

I bëjmë thirrje kryeministrit që të përmirësojë logjikën, apo të shmangë deklaratat demagogjike dhe të veprojë në interes afagjat për qytetarët e vendit. I bëjmë thirrje edhe partive politike shqiptare në qeverisje që të bëhen të zëshëm dhe këmbëngulës në ndalimin radikal të lojërave të fatit, ngjashëm me atë në shtetin fqinj. Të shqyrtojnë detajisht dështimet e ligjeve të mëparshme në këtë aspekt, për të mos e rrokullisur më kot “gurin e sizifit”, ligje pa efikasitet. Asnjë interes nuk është më i madh se ai shoqëror. Qeveria nuk duhet të pranojë asnjë “të mirë”, që është në dëm të shumicës.

SHPËRNDAJE