“Kemi arritur marrëveshje. Jemi krenar që me kontributin tonë kemi bërë të paktën që fjalia e parë e Kushtetutës, Preambula, të heq padrejtësi për definimin e keq të gjërave. Kemi folur rreth kërkesave që Aleanca për Shqiptarët i ka pasur. Prej sot nuk do të kemi dy kategori të qytetarëve – qytetarë, si dhe qytetarë tjerë…, por do të jetë vetëm populli maqedonas, shqiptarë, turk etj”, tha Sela pas takimit me Zaevin

Zejnulla VESELI

Në ndryshimet kushtetuese që sot pritet të miratohen, do të futen edhe disa nga amendamentet e Aleancës për Shqiptarët. Kështu ka informuar kryeministri Zoran Zaev pas takimit me kreun e ASH-së, Ziadin Sela, ndërsa ka informuar se ndryshime do të pësojë edhe Preambula, ku siç ka kërkuar ASH, përveç shprehjes “Republika Veriore e Maqedonisë është shtet i maqedonasve dhe qytetarëve të saj”, do të shtohen edhe “i shqiptarëve, turqve, vllehve….”

“Me rëndësi është pjesëmarrja e të gjitha partive që procesi i ndryshimeve integruese të jetë i suksesshëm. Deri më tani kemi pranuar amendamentet e Aleancës për Shqiptarët në pjesën e Preambulës  që të hiqet pjesa ku thuhet se ‘jetojnë në kufijtë’. Është e pranueshme që në  Preambulë të qëndrojë formulimi i amendamentit të ASH-së se ‘Republika Veriore e Maqedonisë është shtet i qytetarëve maqedonas si dhe qytetarëve shqiptarë, turq, vllehë dhe gjithë të tjerëve që jetojnë në Maqedoni’, e jo siç qëndronte se ‘është shtet i maqedonasve dhe etniteteve tjera që jetojnë brenda territorit të Maqedonisë’. Amendamenti i dytë që u pranua është i Aleancës dhe BESËS, pra amendamenti 36 apo neni 49 që ka të bëjë me diasporën maqedonase.  Falë diskutimeve të këtyre dy partive, pranohet që  diaspora maqedonase të zëvendësohet dhe e komuniteteve të tjera në diasporë që jetojnë në Maqedoni. Pastaj pranohet edhe amendamenti i ASH-së që në Kushtetutë të jetë se ‘Republika e Maqedonisë kufizohet edhe me Republikën e Kosovës’, kështu që Kosova do të jetë fqinji i pestë që kufizohet Maqedonia. Me këtë do të kemi mbështetjen e Aleancës për ndryshimet Kushtetuese”, deklaroi Zaevi.

Ndërkaq, në pyetjen se ai keni të sigurt tani 81 deputetë për të ratifikuar Marrëveshjen e Prespës, Zaevi u shpreh se akoma nuk është i sigurt në numrat. “Ende nuk mund të them i sigurt, sepse duhet të presim edhe deputetët e BESËS që të harmonizojmë qëndrimet pas takimit që do të realizohet me ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov”, deklaroi Zaevi. Në ndërkohë, krenar me marrëveshjen me kryeministrin është shprehur vet Ziadin Sela.

“Kemi arritur marrëveshje. Jemi krenar që me kontributin tonë kemi bërë të paktën që fjalia e parë e Kushtetutës, Preambula, të heq padrejtësi për definimin e keq të gjërave. Kemi folur rreth kërkesave që Aleanca për Shqiptarët i ka pasur. Prej sot nuk do të kemi dy kategori të qytetarëve – qytetarë, si dhe qytetarë tjerë…, por do të jetë vetëm populli maqedonas, shqiptarë, turk etj”, tha Sela. Në lidhje me çështjen e riemërimit të gjuhës shqipe nga “gjuha që e flasin 20% e popullatës” në gjuhën shqipe, Sela tha se këtë do ta shqyrtojnë në të ardhmen. Për të njëjtën gjë, Zaevi deklaroi se nuk ka mundësi formale që tani të realizohet, por se edhe ai nuk dëshiron që ndonjë gjuhë të thirret me përqindje. (koha.mk)