Abdulla Mehmeti

(17 janar 1468 – 17 janar 2018)

Sot, më 17 janar mbushen 550 vjet nga shuarja e kryeheroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Ky përvjetor u shënua dhe do të vazhdojë me manifestime të ndryshme gjatë tërë vitit gjithkund ku ka shqiptarë, si në Tiranë, Prishtinë, Shkup, në trojet tjera etnike dhe kudo në botë ku jetojnë shqiptarët.

Ky vit me të drejtë u shpall edhe zyrtarisht – Viti i Skënderbeut, për ta përkujtuar kryeheroin tonë që i dha popullit shqiptar nder ndër shekuj, me të cilin mburremi ne, por mburren edhe të gjithë popujt evropianë edhe bota.

Kryeheroi ynë, për të cilin janë shkruar me qindra vepra shkencore e letrare, janë publikuar shumë studime, nga autorë shqiptarë dhe të huaj, shpeshherë ka zgjuar edhe debate të shëmtuara e kontroverse, sidomos për prejardhjen e familjes së tij, të besimit fetar që i ka takuar, duke u kontestuar nga disa bastardë edhe përkatësia e tij kombëtare, sidomos nga autorë sllavë dhe pseudostudiues nga mesi ynë.

Sidoqoftë, ky është përvjetor për përkujtimin e Skënderbeut, bëmave të tij, luftës heroike të tij dhe të popullit shqiptar për mbrojtjen e atdheut, qenies kombëtare dhe lirisë.

Ky është një përvjetor jo vetëm sa për ta shënuar si datë, por për t’u përcjellë mesazhe atdhedashurie gjeneratave të sotme dhe të ardhshme, se si duhet ta duan, të punojnë dhe sakrifikojnë për popullin, atdheun, qenien, gjuhën dhe historinë tonë.

Populli shqiptar ka qenë me fat që nga gjiri i tij u lindën heronj si Skënderbeu, me të cilin janë krenuar dhe frymëzuar breza të tërë para nesh në përpjekjet për liri dhe çlirim kombëtar, me të cilin krenohemi edhe ne sot dhe do të krenohen edhe brezat e ardhshëm, derisa të frymojë populli shqiptar mbi dhè.

Këtë kryehero e ngritën gati në figurë mitike edhe rilindësit tanë, jo pa arsy; mbi të gjitha, sepse në figurën e Skënderbeut gjetën elementin më të rëndësishëm të përbashkimit të shqiptarëve me disa përkatësi besimesh fetare, me shtritje në shumë krahina, por dhe për një arsye tjetër madhore, sepse Skënderbeu tanimë ishte njohur dhe pranuar nga e gjithë bota si strategu më madh i kohës, personaliteti më i pakontestueshëm që i kishte bërë ballë një perandorie të tërë, pa të cilin as Evropa nuk do të mbetej kjo që është sot.

Edhe në periudhat kur shqiptarëve ju rrezikua qenie kombëtare, nën rrethana pushtimi dhe okupimi, nën regjimet dhe sundimet e huaja, si nën ish regjimin komunist jugosllav, shënimi i përvjetorëve të Skënderbeut megjithatë u shndërrua në frymëzim, impuls të ri dhe shpresë për liri, çlirim dhe bashkim kombëtar.

Edhe 500 vjetori i shuarjes së Skënderbeut, më 1968, pavarësisht nga rrethanat dhe mundësitë, u shënua denjësisht nga të gjithë shqiptarët, si në Tiranë, Prishtinë, Tetovë dhe vise të tjera.

Tani kur shqiptarët kanë fatin të kenë dy shtete, por njëherësh edhe fatkeqësinë që edhe më tej një pjesë e madhe të jetojnë të ndarë në disa shtete, të shkapërderdhur edhe gjithandej nëpër botë, sërish 550 vjetori i përkujtimit të Skënderbeut na bashkon dhe afron, na frymëzon dhe jep mesazhe të qarta për rrugëtimin tonë në të ardhmen, me shpresë se e nesërmja jonë si komb do të jetë më e mirë.

Por, kjo nuk është një datë për ta uruar njëri-tjetrin, përvjetor për festa e gëzime, por përvjetor për t’u shënuar me dinjitet, duke marrë për shkas figurën dhe përmasat heroike të Skënderbeut, të japim mesazhe të qarta para botës se ne i takojmë popullit që nga gjiri i tij lindi kryeheronj të tillë, të japim mesazhe paqe e dashurie, solidariteti e mirëkuptimi, përkushtimi e sakrifice, së apri për lirinë tonë, por edhe për lirinë e të gjithë popujve të tjerë që u mungon ajo.

Ky përvjetor, nuk është përvjetor festash, sepse është datëvdekje, vit i përkujtimit dhe nderimit, datë për frymëzime të reja kudo në botën shqiptare, për një të ardhme më të mirë, në paqe e liri; njëherësh edhe duke mësuar nga historia, se secila periudhë historike kërkon lindjen e heronjëve të saj, të figurave me përmasa të kryeheroit tonë kombëtar, sepse secila kohë ka nevojë për heronj si Gjergj Kastrot Skënderbeu.

Do të ishte i mjerë një popull që mbështet vetëm në të kaluarën e tij, sado e lavdishme të jetë ajo, të krenohet me heronjtë e këtyre periudhave, pa bërë asgjë për të sotmen, për heronjtë që duhet t’i lindë secila kohë për nevojat e saj, që populli t’i përballojë me sukses sfidat e reja, luftën e ashpër për mbijetesë në konkurrencën e madhe mes shteteve dhe kombeve të cilët kanë ecur shumë përpara nesh. Kjo duhet të jetë edhe arsyeja që nuk na lejon komoditetin vetëm të festojmë e krenohemi me të kaluarën, pa mbajtur njëkohësisht përgjegjësi edhe për të sotmen dhe të ardhmen tonë, të cilat kanë nevojë edhe për heronj të ri, për personalitete si Gjergj Kastriotë Skënderbeu, sepse personalitete të këtilla i duhen popullit shqiptar edhe në kohën tonë, sidomos sot!

17 janar 2018