Doktori me titull të dyshimtë dhe drejtuesi i bizneseve të tij të pista, po tentojnë të më bëjnë presion duke inskenuar gjëra që veç mendja e tyre perverse mund t’i bëjë.

Nuk desha fare të merrem me këtë rast, por dëshira për thashetheme e disa “portaleve” më detyron të jap një sqarim.
Si fillim, nuk kam pranuar ndonjë ftesë apo njoftim në mënyrë zyrtare nga organet kompetente. Gjithçka qënka konstatuar nga dikush në komunë dhe nga portalet e kontrolluara nga zyrat e biznesit privat të “Doktor Kryetarit”.
Të gjitha janë gënjeshtra dhe shpifje të kulluara. Tentojnë të më mbyllin gojën dhe të më hakmerren për aktivitetin tim politik dhe qytetar.

Lajmi i vetëm këto ditë është se po hulumtohet dhe sulmohet nga të gjitha anët, “çerdhja” e shitjes së diplomave dhe bizneseve të pista në Strugë. E për këtë nuk do të ma mbyllni gojën kurrë.
Kam qënë i vetëdijshëm për sulme të tilla, por kjo nuk më ka penguar të ushtroj aktivitetin tim.

Miqve, shokëve dhe familjarëve që janë shqetësuar nga këto shpifje, Ju kërkoj falje dhe Ju falënderoj që më ndodheni pranë.

Nuk do të arsyetohem për akuzat që bëhen ndaj meje sepse janë qesharake. Organet le ta bëjnë detyrën.
Ndërsa për shqetësimin e shkaktuar ndaj familjes sime, do të përgjigjeni të gjithë, një për një!

PS:// Në konsultim me përfaqësuesin ligjor, do të ngrejmë padi për shpifje dhe prishje të imazhit drejt Komunës së Strugës, Kryetarit të Komunës së Strugës si dhe portaleve që qëllimisht dhe pa të drejtë shpërndanë fotografinë time me tituj ofendues dhe shpifës ndaj meje.

Albrim Hoxha