Si po shkojmë në NATO dhe BE?! Si shqiptarë?! Si mundet të shkojmë si të tillë ku ende nuk e kemi të përcaktuar pozicionin tonë në këtë shtet? Rrezikojmë të jemi firmëtarë të asimilimit me dorën tonë, në emër të kujt? Më 30 shtator do vendoset nëse duam të shkojmë anonim në Evropë, apo si shqiptarë. Se Maqedonia mund të ndryshojë emër, kurse ne mund të mbetemi pa emër fare…

Nga dr.Arben Taravari

Maqedonia po jeton kohë të rëndësishme për të. Të gjithë duket se po i afrohemi pragut të Ëndrrës Evropiane. NATO dhe BE duket se janë çmimet që i jepen shtetit, nëse ky i fundit pajtohet me paktin deri tash hipotetik, greko-maqedonas, për të ndryshuar emrin.

Pjesa më e madhe e popullsisë sllave që jetojnë këtyre anëve janë kundër ndryshimit të emrit, shpresat e kryeministrit reformator janë varur tek popullsia shqiptare. Është vendosur që me anë të një referendumi që do të zhvillohet në shtatorin e afërt, populli të japë verdiktin për ose kundër ndryshimit të emrit.

Shqiptarët janë fare të pandjeshëm ndaj emrit aktual, madje mund të kenë edhe aversion ndaj termit “Maqedoni”, pa faj, pasi ky shtet i ri me këtë emër i përjashtoi nga shumë të drejta themelore të njeriut, i diskriminoi, i varfëroi, u përpoq t’i degdiste sa më larg dhe ja arriti qëllimit madje me një pjesë. Sjellja e shqiptarëve në sallonet politike ka qenë ajo e një shërbëtori. Të frustruar nga e kaluara shoviniste, ne, shqiptarët, nuk ishim gati për të menaxhuar pozitën tonë politike, të cilën e morëm me armë, e fatkeqësisht e humbëm me penë.

Historia ka rrëfyer se ne jemi një popull shumë i aftë në luftë e fare naiv në paqe! Është një konkluzion i frikshëm ky por po, është i vërtetë. Ne vazhdojmë të bëjmë një të ashtuquajtur politikë, që as nuk meriton të barabitet me këtë term, po le të ulim nivelet e koncepteve për hir të qëllimit. Kështu pra, të përfaqësuar në qeveri nga BDI-ja, ne vazhdojmë të jemi kukullat me kollare që kënaqen duke i dhuruar sa më shumë çokollata! Të gjithë brohorasin NATO dhe BE, madje drejtuesi i BDI-së Ali Ahmeti ka deklaruar se nëse Maqedonia do të depërtojë në NATO, ai do të rishikojë pozicionin e tij (a thua se do sakrifikojë jetën po të jap dorëheqjen), po gjithsesi, me të tilla pritshmëri patetike është shoqëruar rruga për në institucionet e Evropës. Tashmë me ndërrimin e emrit pritet të realizohet Ëndrra e Integrimit Evropian, por askush nuk di të na thotë se si do shkojmë ne në zyrat e larta të kontinentit? Do shkojmë si shqiptarë?! Apo të shkojmë si të shkojmë, e rëndësishme është të jemi pjesë e agjendës atlantike?!

Statusi ynë në kushtetutën e këtij shteti është ende tepër konfuz. Ligji është më i vjetër se Maqedonia, ai kryesisht evokon kohën ish-jugosllave, ku dihet që shqiptarët ishin etiketuar si të papërshtatshëm në trojet e tyre! Kryeministri ka nevojë për shqiptarët më shumë se kurrë në këto momente, sepse pa ata ëndrra atlantike mbetet në raft, por shqiptarët më romantikë nga ç’duhet nuk kujtohen që është një moment tepër i përshtatshëm për të qartësuar pozicionin e tyre. Ata rrëmbehen nga euforia (armike e racionalizmit), dhe të gjithë do mbështesin qeverinë për ndryshimin e emrit, pa kërkuar asnjë lloj transparence para Kushtetutës. Të jetë ky reagim evropianizëm apo të jetë sjellje tipike e të shtypurit, apo disa më keq, e të shiturit?!

Larg qoftë të jetë e fundit, por kemi të drejtë që të kemi dyshime të tilla, sepse para ca kohësh BDI-ja denoncohej me të madhe nga pikërisht partneri i saj qeveritar si një grup mafiozësh të cilët kishin shitur fatin e shqiptarëve në mendjen e mbrapshtë të disa politikanëve që ndodhte të ishin maqedonas. Pasi u rregulluan numrat dhe u gjet kombinimi që hapte derën e qeverisë, pikërisht drejtues të partisë së akuzuar u gjendën papritur në pushtet sërish. Akuzat ndaj tyre u tretën, u harruan dhe ata vazhdojnë dalin si personazhe epikë, duke kërkuar NATO-n dhe BE-në më shumë se çdo gjë! Edhe kur shqiptarët dënohen me burgime të përjetshme padrejtësisht, edhe kur ikin se nuk kanë të ardhme, edhe kur shkollat janë të korruptuara dhe arsimi i sakatuar, edhe kur sistemi shëndetësor të sëmurë më shumë se sa të shëron, edhe kur gjuha shqipe dhe shqiptarët trajtohen si mish i huaj nga shteti dhe Kushtetuta, BDI-ja, nuk thotë Asgjë!

Si po shkojmë në NATO dhe BE?! Si shqiptarë?! Si mundet të shkojmë si të tillë ku ende nuk e kemi të përcaktuar pozicionin tonë në këtë shtet? Rrezikojmë të jemi firmëtarë të asimilimit me dorën tonë, në emër të kujt? Më 30 shtator do vendoset nëse duam të shkojmë anonim në Evropë, apo si shqiptarë. Se Maqedonia mund të ndryshojë emër, kurse ne mund të mbetemi pa emër fare…

Partitë shqiptare me BDI-në krye ka për detyrë të ulet e të kristalizojë statusin e shqiptarëve në shtetin e tyre, shtatori po afron dhe ne duam të jemi pjesë e Evropës Institucionale, por duam të jemi si shqiptarë!