Ndonëse zgjedhjet lokale po afrohen dhe akoma nuk ka ndonjë datë fikse se kur do të mbahen, nëpër komuna të ndryshme ka nisur të nxehet fushata duke dalë kandidat të mundshëm të cilët krahas partive politike kanë mbështetjen edhe të shoqërisë civile, transmeton Zhurnal.mk

Gara për komunën e Gostivarit po bëhet e nxehtë për faktin se pritet të garojnë figura të rëndësishme të kësaj komune të cilët kanë peshë tek popullata.

Këto ditë në opinion ka qarkulluar edhe lajmi për një kandidim të mundshëm të ish kryetarit të kësaj komune Rufi Osmani për garën e të parit të komunës dhe sipas lajmit thuhet se kandidimin e tij e dëshirojnë anëtarësia e LR PDSH-së.

Lidhur me një kandidim të mundshëm të Osmanit për kreun e komunës së Gostivarit, është prononcuar për Agjencinë e lajmeve Zhurnal edhe Sulejman Rushiti i cili shpalli kandidaturën e tij të cilën e përkrahën figura të ndryshme dhe aktivist qytetarë të kësaj komune.

“Profesori Rufi Osmani është një figurë emblematike që i tejkalon përmasat lokale. Për mua është nder që të më përmendet emri në analizë të njëjtë. Është personi që do ta kisha mbështeur pa hezitim”, kështu është shprehur për Zhurnal, Sulejman Rushiti.