Vuçiq bën thirrje për marrëdhënie më të mira me Kroacinë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nisi të hënën një vizitë dyditëshe në Kroaci.

Pas takimit me presidenten kroate, Kolinda Grabar Kitaroviq, Vuçiq tha se Serbia dhe Kroacia duhet të kenë marrëdhënie më të mira në të ardhmen, transmeton REL.

“Kur bëhet fjalë për të ardhmen, nuk kemi interesa kontradiktorë në asnjë fushë. Duhet të jemi më të përgjegjëshëm dhe më seriozë”, tha Vuçiq.

Ka qenë ky takimi i parë i krerëve të shtetit të Serbisë dhe Kroacisë në pesë vjet.

Vuçiq zhvilloi bisedime edhe me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ndërsa në agjendë janë edhe takimet me kryetarin e Parlamentit, Gordan Jandrokoviq, me përfaqësues të pakicës serbe dhe me udhëheqës fetarë.

Marrëdhëniet dypalëshe midis Serbisë dhe Kroacisë janë të tensionuara prejse kjo e fundit ka shpallur pavarësinë nga ish-Jugosllavia në vitin 1991, gjë që ka çuar në konflikti katërvjeçar me rebelët etnikë serbë, të cilët janë mbështetur ushtarakisht dhe politiksht nga Beogradi.

Qindra njerëz u janë përgjigjur thirrjeve të grupeve të veteranëve të luftës për të protestuar kundër vizitës së Vuçiqit në Zagreb.

SHPËRNDAJE