​“NATA E ZJARREVE”, TË GJITHË NË NDERIM TË FAMILJES JASHARI

Të gjithë pa dallim, qytetarë, bashkatdhetar, përfaqësues të institucioneve, për tre ditë me radhë u përkulën para varrit të Adem Jasharit, familjes, dhe të rënëve në marsin e 98’ës në Prekaz.

Si çdo përvjetor, edhe sonte, në përmbylljen e manifestimit për nderë të rënies heroike të familjes Jashari, u ndezën 56 flakadanë përreth varrezave.

Ashtu siç regjisori i këtij manifestimit, Latif Zariqi tregon për KosovaPress, “Nata e Zjarreve” për simbolikë ka përhapjen e zjarrit të pushkës së komandantit Adem Jashari.

“Ky padyshim është manifestimi më i madh që bëhet në Kosovë. Ky është në vazhdën 3 ditore të manifestimeve, 5-6-7 mars.Kjo është nata e zjarreve për arsye se këtu ka filluar përhapja e zjarreve të p ushkës së pari të Komandantit Adem Jasharit dhe të gjithë dëshmorëve të tjerë në të gjithë trojet. Prandaj në Prekaz është mbajtur riti tradicional nata e zjarreve, aty me ndezjen e flakadanëve, ku kanë marrë pjesë nxënësit të cilët kanë vendosur lule, pastaj pjesëtarët e FSK-së ushtrisë sonë të ardhshme, pjesëtarët e UÇK dhe popullata. Të gjithë së bashku kanë shkuar dhe kanë bërë nderim tek komandanti legjendar Adem Jashari dhe heronjtë të tjerë të kombit. Ky manifestim është titulluar nata e zjarreve sepse është shtrirja e flakës së zjarrit në të gjithë vendin. E keni parë edhe zjarrin kryesor që simbolizon masivizimin shumë të madh. Ndërsa tani jemi në programin kulturor artistik këtu në shesh, i cili është sajuar me ansamblit më të mirë, por edhe me rapsodë, solistë e artistë të ndryshme”, tha Zariqi.

Për numrin e madh të pjesëmarrësve në shënimin e 18 vjetorit të rënies heroike të Jasharajve, tregoi drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Skenderaj, Hajriz Koci.

“Konsiderojmë se gjithçka ka shkuar mirë, padyshim që epopeja e UÇK-së është një ngjarje e rëndësishme është përkujtimi i një ngjarje themeltare të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe besojë që të gjitha aktivitetet që janë mbajtur për nder të 18 vjetorit të epopesë së UÇK-së kanë shkuar mirë. Ka pasur pjesëmarrje të madhe të qytetarëve të gjitha trevave shqiptare, të Shqipërisë, Maqedonisë. Ne si komunë jemi munduar të japim kontributin tonë në pjesë që na takon në organizimin e këtyre ngjarjeve”, tha Koci.

Për të përcjellë nga afër këtë manifestim, ishte edhe kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, sipas së cilit heronjve u mbetet lavdia, derisa të gjallëve puna dhe angazhimi.

Këtu fillojë rezistenca ndaj pushtuesit shekullor dhe këtu mbarojë. Ky është një mesazh apo një vend qe neve na jep kurajë të vazhdojmë më tutje e të ndjekim rrugën e dëshmorëve, të heronjve, lavdia le t’iu mbetet atyre, kurse punë dhe angazhimi na mbesin neve, tha Gashi.

Ndërsa Faruk Zeqiri, nga Ansambli “Bajram Curri” në Prishtinë, thotë se ky manifestim është festë që të gjithë shqiptarët mund të krenohen me të.

“Është një festë që të gjithë shqiptarët mund të krenohen me të. Rezistenca e ka bërë të vetën, që ka bërë bujë në të gjithë botën, dhe ne jemi krenarë që ne jemi sot këtu. Nuk është hera e parë, çdo vit pas luftës kemi marr pjesë si ansambël, kështu që nuk do të lodhe mi as viteve të tjera, është kënaqësi të vijmë e t’u bëjmë homazhe, për me i respektuar dëshmorët e rënë që kanë dhënë jetën për këtë liri”, tha Zeqiri.

Për të përfunduar shënimin e përvjetorit të Epopesë së lavdishme të UÇK-së, pas ndezjes së flakadanëve në Prekaz, manifestimi u zhvendos në Skenderaj, në sheshin që mban emrin e komandantit Adem Jashari.

Epopeja e UÇK-së u përmbyll me një koncert kulturo-artistik në Skenderaj.