Le ta pranojmë se të gjithë kemi ushqimet tona të preferuara të cilat dëshirojmë t’i konsumojmë vazhdimisht. Disa prej tyre janë më të shëndetshme se të tjerat, dhe të tjera janë krejtësisht të pashëndetshme.

Në fakt, disa prej tyre mund të konsiderohen si ndër ushqimet më të pashëndetshme në botë, e ju të mos jeni të vetëdijshëm për këtë.

Edhe pse t’a llastoni veten me ushqimet e preferuara është diçka e rëndësishme, të siguroheni që të dini se çfarë produktesh po konsumoni është gjithashtu një hap i zgjuar dhe i sigurt drejtë ushqyerjes së shëndetshme.

Për t’ju ndihmuar të kuptoni më mirë se çfarë ka në ushqimet që keni dëshirë t’i konsumoni shpesh, AgroWeb.org ju fton të njiheni me këtë listë të ushqimeve më të pashëndetshme në botë.

Lëng frutash me sheqer të shtuar

Përbërësit jo të shëndetshëm: Sheqerna të shtuara, pa fibra, me shurup misri me fruktozë të lartë.

Edhe pse mund të duket si një zgjedhje e shëndetshme, duhet të dini se jo të gjitha lëngjet e frutave prodhohen njëlloj. Ka disa marka që thjesht shesin produkte që kanë më shumë sheqer të shtuar se fruta të vërteta. Në vend të tyre, përpiquni të konsumoni lëngje frutash 100% natyrale, akoma më mirë është nëse i përgatisni vetë.

Pijet e gazuara

Përbërësit jo të shëndetshëm: ngjyrues artificial, sheqerna artificialë.

Pothuajse të gjitha pijet e gazuara të njohura përmbajnë aspartam, një ëmbëltues artificial që fillimisht u krijua për të ndihmuar në humbjen e peshës, por që kohët e fundit është zbuluar se ka efekt të kundërt. E për më tepër mund t’ju ekspozojnë ndaj kancerit.

Ushqimet e skuqura

Përbërësi jo i shëndetshëm: yndyrna të tepërta, janë ushqime që rrisin inflamacionin në trup.

Përveç sasisë shumë të lartë të yndyrës dhe kalorive, problemi kryesor me këto ushqime është se ato janë inflamatore. Kjo vihet re sidomos tek produktet me origjinë shtazore që gatuhen në temperatura të larta për një periudhë të gjatë kohore. Ekspozimi i vazhdueshëm, mund të kontribuojë në një rrezik në rritje të sëmundjeve kronike.

Drithërat e mëngjesit me sheqer

Përbërësit jo të shëndetshëm: karbohidrate të rafinuara, sheqer të shtuar.

Konsumimi i tepërt i ushqimeve të pasura me sheqer mund të çojë në obezitet, i cili mund të shkaktojë probleme të tjera shëndetësore si diabeti dhe sëmundjet e zemrës. Për fat të keq, shumë nga këto produkte edhe pse ndonjëherë cilësohen si të shëndetshme, përmbajnë shumë sheqer.

Ushqimi i shpejtë

Përbërësit jo të shëndetshëm: Shumë natrium, yndyra të këqija.

Ushqimi i shpejtë është i tepër i shijshëm, por më shpesh është jashtëzakonisht i lartë në natrium dhe yndyrna të këqija. Kjo është arsyeja pse konsiderohet si një nga ushqimet më të pashëndetshme që mund të hani dhe ka qenë vazhdimisht i lidhur me sëmundjet e zemrës, diabetit dhe obezitetit.

Pijet energjike

Përbërës i pashëndetshëm: Shumë saharozë, glukozë dhe kafeinë.

Një studim të cilit AgroWeb.org iu referua, zbuloi se pijet energjike shkaktojnë gërryerje të dhëmbëve dhe mund të shkatërrojnë mëlçinë tuaj.

Pica e ngrirë

Përbërësi i pashëndetshëm: Shumë natrium, aditivë ushqimorë.

Edhe pse mund t’ju kursejë më shumë kohë, duhet të dini se këto lloj picash përmbajnë sasi të lartë të natriumit dhe aditivë ushqimor, që janë shumë të dëmshëm për organizmin.

Karamelet dhe ëmbëlsirat

Përbërësit jo të shëndetshëm: Ngjyrosje artificiale, sheqer të shtuar, yndyrna të ngopura.

Tashmë e dinit që të gjitha yndyrat që bllokojnë arteriet dhe sheqernat që shkaktojnë varësi, nuk ju bëjnë mirë për shëndetin. Por me siguri nuk e keni kuptuar se disa ëmbëlsira mund të ndikojnë në aftësinë për t’u përqendruar tek fëmijët.

Sallami

Përbërësit jo të shëndetshëm: Nitratet dhe nitritet, metodat e gatimit me nxehtësi të lartë.

Mishi i përpunuar është në fakt më i dëmshmi. Këto lloje zakonisht bëhen nga mishi i kuq, i cili është i lartë në yndyrna të ngopura. Shpesh mishi i kuq i përpunuar shumë përmban nivele të larta të natriumit, si dhe aditivë si nitratet dhe nitritet. Hulumtimet kanë treguar se nitritet mund të shkaktojnë kancer dhe këto aditivë mund të kthehen në kancerogjene kur ekspozohen ndaj nxehtësisë së lartë.

Ëmbëlsues artificial me sukralozë

Përbërësi jo i shëndetshëm: Sukraloza

Ëmbëlsuesit me sukralozë mund të kenë zero kalori, por kjo nuk do të thotë se kanë zero efekte në shëndetin tuaj. Disa studime, në të cilat AgroWeb.org mbështetet, kanë treguar se ëmbëlsuesit artificialë si sukraloza, nuk mbështesin rënien nga pesha. Përkundrazi mund të shkaktojnë shtim në peshë dhe të rrisin rrezikun e shumë sëmundjeve nëse konsumohen rregullisht.