Sa më shumë që po afrohen zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, aq më të qarta po bëhen programet, orientimet dhe grupimet politike. Edhe pse ato, në shikim të parë, të krijojnë përshtypjen e matematikave të thjeshta lokale, të cilat, siç dhe e kërkon politika, synojnë mbajtjen, respektivisht marrjen e pushtetit, kësaj radhe, janë më të avancuara, madje, më tepër kapin rrafshin e gjeopolitikës globale. Sado që ne, të pasprovuarit dhe vëzhguesit pasivë të politikës, të mendojmë me plot bindjen se politikanët tanë janë individë pa vizion dhe injorantë, gabojmë rëndë. Ata e njohin mirë lojën, prandaj dhe nuk janë rastësisht aty ku janë. Lëvizjet e fundit ma përmbysën, të paktën, mua këtë perceptim naiv.

Sado që nuk kam dashur ta besoj, përmes veprimeve të fundit, si në bllokun politik maqedonas dhe atë shqiptar, po konturohen dy blloqe: ai i Lindjes dhe i Perëndimit. Te blloku maqedonas i Lindjes zingjinjtë i tërheq Rusia, kurse tek ai shqiptar Turqia. Deri tani, VMRO-ja e ka shpalosur qartazi orientimin pro-rus, pasi që shtyllat programore të saj në këto zgjedhje janë:
1. Shfuqizimi i Marrëveshjes së Prespës
2. Shfuqizimi i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, dhe
3. Shfuqizimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Në bllokun politik shqiptar ende zyrtarisht nuk ka një epilog përfundimtar se cilët do të jenë përmbaruesit e gjeopolitikës së Lindjes, pavarësisht se tashmë jozyrtarisht janë shtuar zërat se kush do të jenë, por takimi i Tiranës të lë të kuptosh se arkitekti i këtij projekti është figura tashmë e identifikuar si dora e zgjatur e gjeopolitikës së Turqisë. Ditët në vazhdim do të duhet që në fushëbetejë të zbresin gladiatorët e Lindjes dhe Perëndimit, por, që humbësit dihen paraprakisht.
Veç një gjë duhet ta kemi të qartë ne të gjithë se: “Shekulli i shqiptarëve” nuk shtyhet me politikanë, të cilët nuk shohin përtej hundës së vet.

P. S. Ky është vetëm paralajmërimi i një shkrimi, i cili do të jetë i plotë, sapo të dihen zyrtarisht koalicionet parazgjedhore në bllokun politik shqiptar.