Kanë kaluar tanimë 15 vjet nga konflikti i vitit 2001, pas të cilit qindra pjesëtarë me emblemën e UÇK-së u demobilizuan.

Ata sot janë pa statusin e tyre të zgjidhur si veteranë lufte, nuk ka as status të zgjdhur të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të UÇK-së, njofton agjencia e lajmeve INA.

Janë me dhjetëra ushtarë që kanë ikur jashtë vendit duke mos parë një të ardhme të ndritur dhe perspektivën e qartë, edhe pas luftës së vitit të 2001.

Me fillimin e procesit të implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, kjo çështje ishte një nga prioritetet e partive shqiptare, sidomos BDI-së dhe Ali Ahmetit, ish-komandantit politik të UÇK-së së demobilizuar, i cili nga viti 2002 po udhëheq subjektin e tij BDI.

Shoqata e veteranëve të Luftës e udhëhequr nga daja i tij Fazli Veliu edhe sot e kësaj vazhdon të jetë një subjekt nën hije që thirret në UÇK-në, por që nuk ka arritur të alarmojë një zgjidhje të pranueshme, e cila sot duhej të ishte realitet.

Së fundi çështja e statusit të UÇK-së është shlyer nga programet partiake të BDI, por edhe partive tjera.

Por, shoqatat e veteranëve kanë vazhduar me ngritjen e zërit për këtë çështje, mirëpo kërkesat e tilla vazhdojnë vetëm të përsëriten, duke mos gjetur përkrahjen nga spektri politik.

Kërkesa për zgjidhje për statusin e UÇK-së është bërë edhe nga diplomatë perëndimor, të cilët kërkojnë që kjo zgjidhje të jetë në pako dhe një formë pajtimi me zgjidhjen e statusit edhe të branitellave maqedonas. Në drejtim të zgjidhjes së statusit të UÇK-së, Organizata e Veteranëve të Luftës e udhëhequr nga Besim Hoda në bashkëpunim me LDSHM-në grumbulluan mbi 100 mijë nënshkrime të qytetarëve, për ti dorëzuar më pas në Bruksel, me qëllim të alarmimit të gjendjes së ish-ushtarëve të UÇK-së dhe moszgjidhjen e statusit të tyre. (INA)