Socializmi i hershëm i fëmijëve, respektivisht regjistrimi i tyre nëpër kopshte dhe çerdhe para se fëmijët të nisin arsimi e detyrueshëm – në moshën pesë vjet e gjysmë, po mbështete gjithnjë e më tepër nga ana e kompetentëve, shkruan gazeta KOHA. Shumë studime mbështesin tezën se koha e përshtatshme për të çuar fëmijët në kopshte nis në moshën 18 muajsh ose dy vjeç. Kjo, pasi në këtë moshë ndërtohen mekanizmat trunorë, që në të ardhmen do të mundësojnë ose jo zhvillimin gjuhësor, fjalën dhe mendimin në nivele ose jo cilësore. Por paralelisht këtyre premisave, për shtete si Maqedonia me një koeficient jo edhe aq përfshirës të fëmijëve në çerdhe, është e nevojshme që të institucionet të mos luajnë vetëm rolin e mbikëqyrjes pasive të fëmijëve, por të ofrojnë parasëgjithash programe edukative konform moshës së fëmijëve.

Profesoresha universitare Elizabeta Bajrami Ollogu, pohon se mënyra se si trajtohen në çerdhe fëmijët e moshës nga 2 deri në 5 dhe 6 vjet, është shumë e rëndësishme për zhvillimin psikomotorik të fëmijëve. Është pikërisht kjo moshë, e cila përkon me periudhën e zhvillimit të aftësive njohëse (kognitive) të fëmijëve, plotëson me tej ajo. Për një zhvillim sa më të mirë kognitiv, sipas saj, janë shumë të rëndësishëm ambienti familjar (pra vendi ku ai edukohet nga prindërit, gjyshërit apo motrat dhe vëllezërit) si dhe ambienti i jashtëm, për të cilin thotë se është hapi i dytë i socializmit të fëmijëve. Në këtë kontekst, plotëson më tej ajo, çerdhet dhe kopshtet përkojnë fiks me ambientin e dytë të socializmit të fëmijëve. Prandaj, duke pasur parasysh rëndësinë e tyre si mjedis social i fëmijës, cilësia e shërbimeve që ofrojë çerdhet dhe kopshtet merr një vlerë të veçantë. Ollogu, profesoreshë e shkencave sociale në universitetin “Nëna Tereza”, në Shkup, nënvizon faktin se rolin kyç në procesin e socializmit të fëmijëve në ambientin e jashtëm e merr edukatorja. Nga niveli i shkathtësive profesionale të edukatorëve në çerdhe dhe nga puna që bëjnë ato me fëmijët do të varet shume edhe performanca e zhvillimit të aftësive njohëse të fëmijëve. Është shumë e rëndësishme, plotëson më tej ajo që edhe edukatorët të posedojnë shkollim adekuat, në bazë të kurrikulave bashkëkohore, sepse jo të gjitha lojërat që bëjnë fëmijët në çerdhe apo shtëpi kanë të njëjtin ndikim. “Janë disa lojëra, të cilësuara si psikologjike, me të cilat edukatoret mund të ndikojnë mjaft mirë për zhvillimin emocional dhe kognitiv të fëmijëve të moshës 2 dhe 3 vjeç”, sqaron ajo, ndërsa thotë se është i fuqishëm ndikimi që ka edukimi parashkollor në suksesin e shkollimit të mëtejmë të fëmijëve.

Vite përpara, tregon për KOHA Ollogu, Shoqata Amerikane e Psikologëve, ka realizuar një studim mbi lidhshmërinë e edukimit parashkollor me performancën e arsimimit të mëtejshëm të fëmijës. Rezultate e studimit flasin për ndikim të thellë që ka tek nivelet e mëtejmë të shkollimit edukimi parashkollor, mënyra se si fëmijët ndërtojë marrëdhënien më edukatorët, fëmijë e tjerë dhe familjen. “Të gjitha studimet flasin për atë se fëmijët që shkojnë në kopsht kanë çdo herë premisën të jenë më të suksesshëm në vitet e mëvonshme të arsimit dhe se tregojnë aftësi më të mira në procesin e të nxënit, janë më të predispozuar të zhvillojnë marrëdhënie sociale me fëmijë të tjerë dhe mësimdhënësit”. Pra, që ky proces të realizohet në mënyrë sa më cilësore, specialistët rekomandojnë që fëmijët të çohen në kopshte, si vende të specializuara për të nxitur psikikën e fëmijës të zhvillohet në mënyrë sa më aktive. Në Maqedoni jo të gjithë nxënësit e moshës parashkollore frekuentojnë kopshtet dhe çerdhet. Kjo ka të bëjë jo vetëm me mentalitetit për ta edukuar fëmijën më mirë në shtëpi, por edhe me një sërë faktorë tjetër të rëndësishëm sikurse janë (pa)mundësitë financiare dhe mungesa e kapaciteteve të institucioneve të edukimit parashkollor për t’ju përgjigjur të gjitha kërkesave. (koha.mk)