Derisa Qeveria e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI po vazhdon funksionimin e saj, partitë nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës nuk shprehin gatishmëri për formimin e Qeverisë kalimtare. Analisti politik, Lupço Palevski thotë se lideri e LSDM-së Zoran Zaev dhe ai i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski po negociojnë për formimin e një qeverie të gjerë, që do të duhet t’i përmbushë detyrimet për të cilat është arritur pajtim me Marrëveshjen e Përzhinës. Pas njoftimeve gjithnjë e më të zëshme se zgjedhjet parlamentare mund të organizohen së bashku me ato lokale në tetor të vitit 2017, Palevski konsideron se data nuk është e rëndësishme, por është e rëndësishme se si do të jenë zgjedhjet dhe kush do t’i organizojë ato.

“Nuk ekziston asnjë mundësi që zgjedhjet parlamentare të bashkohen me ato lokale, për arsye se kjo do të nënkuptonte se edhe zgjedhjet lokale do të jenë të kontestueshme, por edhe viti 2017 është larg. Deri atëherë, Maqedonia nuk do të mund të qëndrojë as financiarisht, as politikisht. Të dy liderët duhet urgjentisht të ulen dhe ta zgjidhin këtë situatë. Për momentin, me sa di, LSDM-ja ka fituar katër ministri, dhe një zëvendëskryeministër, ndërsa kërkesat e saja janë që të ketë pesë”, thotë analisti Lupço Palevski.

Për profesorin universitar Nano Ruzhin, në një krizë të këtillë, është e papranueshme të flitet për një datë të caktuar.

“Është fakt se kushton më pak të organizohen zgjedhjet parlamentare, bashkë me ato lokale, por në rast se zbatohen të gjitha reformat, mund të shkohet në një datë të përmendur më herët. Konsideroj se zgjatja e krizës për 4, 5 apo 7 muaj, Maqedonisë do t’i kushtonte më shumë, sesa kursimi i datës”, tha Ruzhin.

Analisti politik Alajdin Demiri thotë se nuk mund të organizohen zgjedhje pa mos u përmbushur paraprakisht detyrimet nga Marrëveshja e Përzhinës.

VMRO-Partia Popullore doli me qëndrim se zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen bashkë me ato lokalet, në vitin 2017. Por për shumë parti më parësore është përmbushja e detyrimeve të Marrëveshjes së Përzhinës dhe një qeveri teknike.

https://youtu.be/W4RE3XVmPOk