Nëse Gjykata Kushtetuese aprovon kushtetutshmërinë e ndërtimit të kryqit në Butel, kjo do t’u hapte rrugën komunave shqiptare që po njësoj, me vendime për pajisje urbane, të ndërtonin figura dhe simbole kombëtare shqiptare. Në këtë mënyrë, kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela, tha se po teston sundimin e shtetit të së drejtës në vend. Gjykata kushtetuese do ta shqyrtojë këtë vendim ditën e enjte, kurse Sela tha se nuk dëshiron të paragjykojë vendimin e saj, por shpalosi dy variantet e mundshme.
Profesori Mersim Maksuti mendon se Gjykata Kushtetuese edhe ketë herë do të dështojë në mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend. Kjo për faktin se përbërja e saj vazhdon të jetë e njëjtë dhe në funksion të pushtetit.
“Nuk pres ndonjë vendim i cili do të jetë i drejtë dhe kushtetues për arsye se Gjykata Kushtetuese në punën e vete deri më tani është dëshmuar se paraqet një institucion shtetëror i cili gjithmonë ka qenë në shërbim dhe në duart e klasës sunduese të partisë në pushtet. Edhe në këtë rast, si në të gjitha rastet tjera, pres që vendimi i saj të jetë në funksion të vijës politike të klasës në pushtet”, tha juristi Mersim Maksuti
Pas publikimit të njoftimit për ndërtimin e kryqit në Butel të Shkup, pësuan një sërë reagimesh, mes të cilave edhe ato të ekspertëve të cilët e cilësuan atë si lojë politike të partnerëve të qeverisë. Procedura e ndërtimit të tij është ndërpretë dhe sipas pushtetit, çështja është lënë që të zgjidhet në frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe Badinterit.