Kryeministri Zoran Zaev thekson se bisedimet për zgjerimin e shumicës parlamentare dhe Qeverisë janë akoma larg epilogut. Sipas tij, subjektet fillimisht duhet t’i vendosin linjat e bisedimeve dhe më pas të konkretizohen. Zaev shtoi se deri më tani nuk është biseduar ndarja e dikastereve, duke mohuar në të njëjtën kohë se shpejt mund të pritet një takim mes tij dhe kreut të BDI-së, Ali Ahmeti për këtë çështje.

Ideja është që të zgjerojmë shumicën parlamentare për dy arsye; e para të forcojmë shumicën me qëllim që deputetët të kenë më shumë kohë të kalojnë me zgjedhësit e tyre, pra qytetarët. E dyta është për shkak të hapave serioz që na presin, para se gjithash reformat, çështja e emrit. Në të njëjtën kohë priten vendime të rëndësishme ekonomike. Pranvera është periudhë e rëndësishme për zhvillimin e operativave ekonomike dhe shumë vendime të tjera. është çështje e dytë ajo se cilat dhe çfarë resorësh do të ndryshojnë – tha Zoran Zaev, Kryeministër.

Ndonëse Zaev nuk bën të ditur, Alsat M mëson se të mërkurën ose të enjten pritet takim mes kreut të LSDM-së, dhe atij të Lëvizjes Besa, Afrim Gashi. Ndërkohë Lëvizja Besa mohojnë se në bisedimet e deritanishme është folur konkretisht për dikastere. Sipas burimeve të Alsat M, bisedimet deri më tani janë zhvilluar për çështje parimore dhe se Besa ka negociuar si parti e vetme dhe jo bashkërisht me PDSH-në ashtu siç flitej në opinion. Nga kjo e fundit mohojnë të ndajnë detaje rreth bisedimeve, parimeve dhe kërkesave të këtij subjekti. Ndërkohë siç mësohet, në mbledhjen e fundit të kryesisë së BDI-së ku është diskutuar mundësia e zgjerimit të shumicës dhe përfshirjen e partnerëve të ri në koalicion, një pjesë e anëtarëve të kryesisë qendrore të BDI-së, kanë qenë kundër inkuadrimit të dy subjekteve të lartpërmendura brenda shumicës.

Derisa BDI-ja insiston në mospërfshirjen e subjekteve shtesë në shumicë, mbetet i paqartë fati i dikasterit të Drejtësisë. Partia e Ahmetit në mbledhjen e fundit të kryesisë nuk ka diskutuar për këtë çështje, por dorëheqja e Bilen Salijit nga ministër i Drejtësisë, mund të pasojë me një takim mes Ahmetit dhe Zaev për të përcaktuar kuadrin e ri ose të paktën ndërrimin e dikasterit për dikaster tjetër. Rikonstruktimin e Qeverisë, kryeministri Zoran Zaev e paralajmëroi që nga fillimi i vitit, duke deklaruar se deri në fund të muajit mars pret që shumica parlamentare të arrijë në shifrat 70. Në këto bisedime nuk është e përfshirë Aleanca për Shqiptarët e cila pas mosmarrëveshjeve me LSDM-në rreth ministrisë së Shëndetësisë, lëshoi Qeverinë. Megjithatë vetë kreu i kësaj partie Ziadin Sela deklaroi se nuk ka betonuar qëndrimin e tij sa i përket rikthimit në Qeveri. Përveç partive shqiptare, ka zëra që shumicës mund t’i bashkohet edhe Partia Socialiste e Maqedonisë e Lubisav Ivanov-Xingo e cila aktualisht ka 3 deputet në koalicion me VMRO-DPMNE-në. Zgjerimi i Qeverisë dhe shumicës parlamentare vjen 10 muaj pas formimit të saj.