Kampioni i Maqedonisë, Shkëndija ka zhvilluar test të sukseshëm në Austri, ku ka mundur me shifrat bindëse 3:1 skuadrën kroate, NK Osijek. Kuqezinjtë triumfuan me përmbysje në rezultat, pasi të parët avansuan futbollistët e skuadrës kroate me anë të Baraçit pas pesë minutavë lojë. Simetri në rezultat solli Izair Emini në minutën e 29-të kur shënoi për 1:1, ndërsa çështjen e fituesit e zgjodhi Besart Ibraimi me dy gola në pjesën e dytë.

Fillimisht në minutën e 56-të shënoi për 2:1 me goditje me të majtën, ndërsa në minutën e 75-të ishte i saktë nga penaltia për rezultat final 3:1. Ky ishte testi i dytë i Shkëndijës në këtë fazë përgatitore, pasi të shtunën barazoi 1:1 me Domzalen e Sllovenisë.