Marrëveshja mes partive për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 15 korrik të këtij viti, mbrëmë rezultoi me shpalljen e gjendjes së re të jashtëzakonshme nga ana e presidentit të shtetit Stevo Pendarovski në kohëzgjatje prej tetë ditëve. Tani mund të presim që kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi të nënshkruajë vendim të ri për mbajtjen e zgjedhjeve më 15 korrik, gjë që do të mund të ndodhte që sot, ndërsa Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve pastaj të sjell afat të ri për zgjedhjet.

Dy partitë më të mëdha politike në vend LSDM dhe VMRO-DPMNE pas përpjekjeve gati dymujore arritën marrëveshje që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 15 korrik. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhej të mbaheshin më 12 prill, por pas shpalljes së gjendjes së parë të jashtëzakonshme për shkak të krizës me virusin korona në mars, me Dekret qeveritar veprimet zgjedhore ishin ndërprerë.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dje në konferencë për media bëri të ditur se është arritur marrëveshje me kryetarin e VMRO-DPMNE-së opozitare Hristian Mickovski dhe se kishin hequr dorë nga qëndrimi i tyre fillestar që zgjedhjet të mbaheshim më 5 korrik, dhe ishin pajtuar që votimi të jetë dhjetë ditë më vonë më 15 korrik. Dita e zgjedhjeve për dallim nga më parë do të jetë ditën e mërkurë, e cila do të shpallet ditë jopune, ndërsa të nënën dhe të martën do të mund të votojnë të sëmurët, përfshirë edhe ata me Kovid-19 dhe personat në izolim dhe vetizolim, si dhe të burgosurit. Heshtja parazgjedhore do të fillojë më 12 korrik, e diel, në mesnatë. Deri te ky vendim erdhi me kërkesë të partisë opozitare e cila për shkak të numrit të të infektuarve nga virusi korona dëshironte protokolle shëndetësore shtesë dhe prani të misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR. Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut do të mbahen me masa për mbrojtje nga përhapja e virusit korona, ndërsa dita e zgjedhjeve do të vazhdohet për dy orë, dhe në vend se në orën 19:00 vendvotimet do të mbyllen në orën 21:00.

Me arritjen e marrëveshjes mes liderëve për zgjedhje më 15 korrik, besohet se vendi do të shmang edhe një krizë politike, krahas asaj shëndetësore dhe ekonomike me të cilën përballet për shkak të gjendjes me virusin korona. Maqedonia e Veriut funksionon me Qeveri teknike e cila duhej të organizojë zgjedhje nga shkurti i këtij viti, si dhe pa Parlament i cili u shpërnda për shkak të zgjedhjeve që duhej të mbaheshim më 12 prill.

Gjendje e re e jashtëzakonshme për shkak të zgjedhjeve, KSHZ me veprime tashmë të planifikuara

Në Maqedoninë e Veriut prej sot ka gjendje të re, të pestë, të jashtëzakonshme e cila, siç sqaruan nga Kabineti i presidentit të shtetit Stevo Pendarovski është me qëllim që të mundësohet përgatitje e papenguar e zgjedhjeve. Vendimi është sjellë në bazë të nenit 125 dhe nenit 126 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, pas propozimit të dorëzuar nga ana e Qeverisë dhe është në kohëzgjatje prej tetë ditë, duke filluar prej 15 qershorit të vitit 2020.
“Vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme merret me qëllim që të mundësohet përgatitja e qetë e zgjedhjeve dhe veçanërisht zbatimi i masave për mbrojtjen e shëndetit publik gjatë procesit zgjedhor, në kontekstin e koronavirusit të shpallur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH)”, thuhet në kumtesë.

Gjendja e jashtëzakonshme në kohëzgjatje prej tetë ditësh do të mundësojë që procesi zgjedhor të zhvillohet pa ndërprerje, të miratohet vendim për zgjedhjet nga ana e kryetarit të Kuvendit dhe orar të modifikuar nga ana e KSHZ-së për mbajtjen e zgjedhjeve më 15 korrik.

Presidenti Pendarovski pret që ditët e gjendjes së jashtëzakonshme të shfrytëzohen që të miratohen vendimet e nevojshme dhe protokollet për organizimin dhe realizimin e zgjedhjeve me theks në masat për mbrojtje të shëndetit publik.

Pendarovski pret që zgjedhjet të jenë të drejta dhe demokratike, siç i takon një vendi anëtar të NATO-s dhe një vendi që po fillon negociata me BE-në.
Kryeministri teknik Oliver Spasovski theksoi se marrëveshja e arritur mes liderëve të partive politike zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 15 korrik është me interes të jashtëzakonshëm për qytetarët dhe për perspektivat e vendit tonë. “Ai është hapi i parë drejtë organizimit të zgjedhjeve gjithëpërfshirëse, korrekte dhe demokratike sipas shembullit të përvojave evropiane të cilat duhet të bëhen praktikë e jona e rregullt në të ardhmen”, shkroi kryeministri Oliver Spasovski në profilin e tij në Fejsbuk.

Sipas Spasovskit, Qeveria do t’i sigurojë të gjitha kushtet e nevojshme dhe në këtë situatë të krizës për shkak të KOVID-19 institucionet të përgatisin dhe realizojnë proces të sigurt zgjedhor nga aspekti shëndetësor.

Kryetari i KSHZ-së Oliver Derkovski mbrëmë deklaroi se pasi që ta marrë vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nga kryetari i Kuvendit, Komisioni do të fillojë ta organizojë procesin me veprime në mesin e të cilave edhe shqyrtimin e Librit të afateve.
“Aktivitetet teknike tashmë një kohë të gjatë po i bëjmë. Kemi veprime tashmë të planifikuara për Librin e aftave dhe sapo të përfundojë gjendja e jashtëzakonshme do të mbajmë mbledhje në të cilën do ta miratojmë në mënyrë formale Librin e afateve me të cilën do të parashihen veprimet tjera deri në ditën e zgjedhjeve”, deklaroi Derkovski për emisionin “Top Tema” në TV Tellma.

Nga autoritetet shëndetësore pret protokoll të cilin KSHZ do t’i shënojë në udhëzimet dhe instruksionet deri te bordet zgjedhore. Edhe pse ishte publikuar se eksiton një protokoll i tillë, tha ai, deri te KSHZ ka arritur vetëm një e-mail me rekomandime të njohura në përgjithësi për votim.

“Tjetër është rekomandim – dokument jo i detyrueshëm, e tjetër është protokoll ose rregullore prej të cilit dalin të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë. Domethënë, ne kërkojmë një dokument të tillë në të cilin saktë dhe preciz do të bëhen të ditura procedurat e caktuara. Në atë që e kemi marrë në dy faqe si rekomandime në mënyrë shumë të përgjithësuar sqarohet procedura. Kjo është ajo që po dëgjojmë për çdo ditë, e nuk është sqaruar në mënyrë precize se si do të votohet te personat të cilët janë, për shembull, në karantinë, si do të votojnë ata në mjekim shtëpiak, në izolim…duhet saktë të sqarohet. Bordet tona zgjedhore nuk janë as epidemiologë, as infektologë që të mund saktë ta dinë se si të sillen”, tha kryetari i KSHZ-së.

Problem me të cilin po përballen është se si të sigurojnë vende adekuate për votim të cilat do të jenë në dispozicion që të respektohen masat për mbrojtje dhe të mos ketë rrezik nga përhapja e virusit. Tashmë kanë kontrolluar, tha, se cilat vendvotime munden me vendim të zëvendësohen me hapësira më të mëdha të cilat do të munden më lehtë të ajrosen dhe të sigurohet distancë e njerëzve.Duke pasur parasysh se zgjedhjet do të jenë në verë, votim mund të ketë edhe në vende të hapura, veçanërisht në vende me numër të vogël të votuesve, por duhet, tha ai, të kemi kujdes për fshehtësinë e votimit, ndërsa në shkolla do të shfrytëzohen korridoret dhe sallat e sportit, aty ku ka.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dje deklaroi se ata plotësisht jemi në dispozicion për bashkëpunim me Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) që në mënyrë të sigurt të realizohen zgjedhjet.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve se a do të ketë rrezik të rritur nga transmisioni i virusit për pjesëmarrësit në zgjedhje, për votuesit dhe anëtarët e bordeve zgjedhore, ai shtoi se ka pasur dhe do të ketë takime në Komisionin për Sëmundje Ngjitëse dhe KSHZ që të zgjidhen çështje të hapura, ndërsa është paraparë edhe protokoll i cili, siç tha, saktë përcakton se si të zbatohet procesi dhe çka duhet të bëjnë të gjithë pjesëmarrësit.

“Ai protokoll është në bazë të argumenteve mjekësore dhe epidemiologjike, ndërsa distanca, dezinfektimi i shpeshtë dhe maska mbrojtëse janë themelore që secili proces të jetë i sigurt. Mosrespektimi i masave e rrit numrin e të infektuarve”, tha Filipçe.

Theksoi se protokoll do të ketë edhe për anëtarët në bordet zgjedhore për të cilat është themelore, gjithashtu, bartja e maskës, dorezave mbrojtëse dhe dezinfektimi i shpeshtë, si dhe për votimin në kushte shtëpiake, duke theksuar se asnjë pjesëmarrës në procesin zgjedhor nuk do të jetë në rrezik. /MIA/